Lajme
Kundërshtari i vrazhdë i EULEX-it “aprovon” fuqizimin special të tij
Demokracia
17:22 | 15 Mars 2022

Share:

Se Albin Kurti ka kundërshtuar EULEX-in nuk vihet në pikëpyetje. Bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje organizonin fushata ndaj këtij misioni që erdhi në vitin 2008. Pas 14 vitesh, gjërat kanë ndryshuar. Nën udhëheqje të qeverisë, kryeministri ka aprovuar vendosjen e 92 pjesëtarëve të Xhandarmerisë Evropiane në kuadër të EULEX-it në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Prej kësaj periudhe, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka kundërshtuar në mënyrë rigoroze EULEX-in që prej vendosjes së misionit në Kosovë.

Ishte pikërisht Vetëvendosje e cila me dhjetëra aksione, deri në sulme ndaj automjeteve zyrtare, kishte kundërshtuar misionin e BE-së.

Si kryeministër, megjithatë, Kurti ka ndërruar kurs në raport me EULEX-in. Të hënën, ai “aprovoi” fuqizimin e Misionit të Bashkimit Evropian me 92 pjesëtarë special të Xhandarmërisë Evropiane.

Betejat e Lëvizjes Vetëvendosje me EULEX-in

Në vitin 2008, kur edhe ky mision kishte filluar punën në Kosovë, Albin Kurti, përmes aksioneve politike, kishte shprehur kundërshtimib në çdo formë, të atij misioni që ai e quante “zëvendësim të UNMIK-ut dhe asgjë më shumë”.

13 tetori i 2008-s, e kishte gjetur Lëvizjen Vetëvendosje në rrugët e kryeqytetit, të prirë nga Albin Kurti me shokë, me qëllimin e vetëm: kundërshtimin e EULEX-it.

Atëbotë, ata kishin vendosur posterë nga ceremonia e ndërrimit të Komandës së KFOR-it në vjeshtën e vitit 2005, ku kreu i misionit të EULEX-it atëherë, Yves de Kermabon Kermabon shihej në shoqëri me Dragan Paskashin, komandantin e shtatmadhorisë së ish-Unionit Serbi dhe Mali i Zi.

Kurti pati deklaruar se kjo foto tregon se Kermabon kishte ftuar Paskashin, njërin nga përgjegjësit, sipas tij, për vrasjen e mbi 14 mijë shqiptarëve të Kosovës.

“Jo vetëm Kermabon është një njeri i papërshtatshëm në Kosovë”, thoshte Kurti, por aludonte se i ngjashëm është edhe misioni EULEX të cilin ai do ta drejtonte.

Sipas tij, EULEX-i është vetëm një zëvendësim i UNMIK-ut dhe asgjë më shumë.

“Populli i Kosovës do t’i hasë pasojat e drejtpërdrejta të EULEX-it, pikërisht nga vendimet e Kermabonit që do të kontrolloj policinë, drejtësinë, doganat e kështu me radhë. Do të jetë EULEX-i ai që do ta bllokojë këtë vend, duke na etiketuar si krizë edhe duke na ngujuar në kurthin e stabilitetit”, thoshte Kurti.

Albin Kurti u shprehte se “Vetëvendosja” nuk e kundërshton praninë e Bashkimit Evropian, por kërkon që kjo prani të jetë këshillëdhënëse dhe jo prani që do të funksionojë mbi ligjin dhe mbi të gjitha institucionet e Kosovës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë aksionit protestues kundër kreut të EULEX-it, 13 tetor 2008.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë aksionit protestues kundër kreut të EULEX-it, 13 tetor 2008.

Nuk kishin kaluar as një vit nga ky aksion i Vetëvendosjes, kur ky subjekt politik, përveç sfidave të shumta, do të ballafaqohej edhe me arrestime të aktivistëve të saj.

Në gusht të 2009-ës, aktivistët e LVV-së kishin përmbysur 28 vetura të EULEX-it për të kundërshtuar praninë e këtij misioni në Kosovë.

Disa vetura të EULEX-it u patën rrokullisur, disa të tjerave u ishin thyer xhamat, kurse një pjese të konsiderueshme ua kishin shfryrë gomat. Krejt kjo, sipas VV-së së atëhershme, ishte një “aksioni simbolik” e që çoi në arrestimin e 21 aktivistëve, për ngjarjen që kishte ndodhur në parkingun, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Prishtinë, 25 gusht 2009.
Prishtinë, 25 gusht 2009.

Lëvizja Vetëvendosje, shprehjen e revoltës ndaj EULEX-it, përveç rrugëve të Prishtinës, e kishte vazhduar edhe kur si subjekt politik, garuan në zgjedhjet parlamentare.

“Ky raport se si zyrtarët e lartë të EULEX-it janë lidhur me zyrtarët e lartë në Qeverinë e Kosovës e të PDK-së, gjithnjë për interesa të ngushta, e assesi për ato të Kosovës e të drejtësisë. PDK do kontroll të fortë në kontrollimin të plotë te krijimi i Speciales, PDK do që të shpëtojë nga kapacitetet hetuese të EULEX-it brenda Kosovës”, thoshte Kurti sa ishte deputet i Kuvendit në vitin 2015.

Kurti, mes kundërshtimit e përafrimit me EULEX-in

Tani, që Kurti është në krye të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm që me “dashamirësi” dëshironte vazhdimin e mandatit të këtij misioni, por edhe aprovon vendosjen e 92 pjesëtarëve të xhandarmërisë në Kosovë.

Kryetari i subjektit më të madh politik në vend, i cili dy herë është zgjedhur kryeministër dhe jo rrallëherë kundërshtonte EULEX-in, tani me shefin e misionit ka biseduar pozitivisht për vendosjen e 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, në Kosovë.

Kjo bisedë erdhi pasi ditën e djeshme shefi i ekzekutivit zhvilloi takimin e radhës, por jo edhe të fundit, në zyrën e tij me shefin e misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Ndonëse EULEX-i zhvillon aktivitete të monitorimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara, siç u tha në një kumtesë nga Zyra e Kryeministrit, kjo njësi e përbërë prej 92 pjesëtarëve që do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim, do të përforcojë kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS).

Kryeministri ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

“Ndërsa Wigemark rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë e misionit EULEX për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe mbështetjes së stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kurti, kishte takuar edhe më herët të parin e EULEX-it. Qoftë kur u zgjedh për të herë parë si shef qeverie, apo tani në herën e dytë, kur ai bashkë me partinë e tij morën mbi 50 për qind të votave.

Albin Kurti me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.
Albin Kurti me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

Misioni dhe mandati i EULEX-it

Misioni i EULEX-it u themelua në vitin 2008 për t’iu asistuar autoriteteve të Kosovës, në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit.

Tani, ky mision monitoron rastet dhe proceset gjyqësore të caktuara në sistemin e drejtësisë të Kosovës, dhe ka kapacitete të kufizuara, si reagues i dytë në fushën e sigurisë.

EULEX gjithashtu ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale, në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Madje, misioni vazhdon të menaxhojë programin e vet për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Mandati aktual i EULEX-it është filluar për ta mbuluar periudhën deri më 14 qershor 2023 duke u bazuar në Vendimin e Këshillit CFSP 2021/904.

Të ngjashme