Lajme
Kundërkorrupsioni e mban për vete deklarimin e pasurisë së krerëve të AKI-së, nuk ua publikon
Demokracia
19:33 | 23 Prill 2024

Share:

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar pasurinë e zyrtarëve të lartë publik. Është viti i dytë më radhë që APK-ja nuk i ka bërë publik formularët e pasurisë për tre udhëheqësit e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Për këtë, kundërkorrupsioni e ka një shpjegim, shkruan Demokracia.com.

Për udhëheqësit e AKI-së, APK-ja ka vendosur të veprojë ndryshe për vitin e dytë me radhë. Ajo ka vendosur t’i mbajë veç për vete informacionet sa janë të pasur krerët e inteligjencës së Kosovës, ndonëse ata kanë emër e mbiemër dhe dihet edhe vendbanimi i tyre dhe pasuria.

Pasuritë e drejtorit Petrit Ajeti, zëvendësit të tij Agon Bytyqi dhe kryeinspektorit Kujtim Shala, nuk figurojnë në deklarimin dhe publikimin e fundit që ka bërë AKP.

Në vitin 2022 u është bërë publike për herë të fundit pasuria Petrit Ajetit dhe Agon Bytyqit. Vetëm pasuria e Kujtim Shalës nuk dihet sa është.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka thënë për Demokracia.com se ligji i vitit 2022 parasheh që pasuria e krerëve të AKI-së të deklarohet, por mos të publikohet.

“Për përgjigjen në pyetjen tuaj, luteni t’i referoheni paragrafit 3 të nenit 12 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë (https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=61304), i cili thekson: 3. Subjektet deklaruese nga radhët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ose të Forcave të Sigurisë ose anëtarët e familjes së tyre që mbajnë pozita konfidenciale janë të obliguar të deklarojnë pasurinë sipas këtij ligji, mirëpo deklarimi i tyre nuk është publik”, thuhet në përgjigjen e APK-së për Demokracia.com.

Deri sa kundër korrupsioni ka cituar ligjin, duke thënë se “… ose të Forcave të Sigurisë ose anëtarët e familjes se tyre që mbajnë pozita konfidenciale janë të obliguar të deklarojnë pasurinë sipas këtij ligji, mirëpo deklarimi i tyre nuk është publik”, Demokracia.com ka vërejtur se për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pasuria e tyre është publikuar ndryshe prej atyre të AKI-së.

Agjencia ka publikuar formularin e pasurisë së komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari. Po ashtu, ka publikuar formularin e pasurisë edhe të zëvendëskomandantit gjeneralmajorit Enver Cakiqi.

Është publikuar formulari i pasurisë edhe i Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ndryshe, pasuria e krerëve të inteligjencës është publikuar në AKK që nga viti 2011, kohë kjo kur kishte filluar deklarimi i pasurisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme