Sport
Xhudon nuk e ndalë as pandemia: Kuka flet për sukseset dhe shpresat e garuesve të tij
Demokracia
09:33 | 16 Janar 2021

Share:

Viti që lamë pas do të mbetet në histori si një nga vitet më të vështira për njerëzimin. Pa përjashtim në këtë grup hyn edhe sporti, i cili u ballafaqua me një situatë të paprecedent dhe të parashikuar. Por, një grup sportistësh nuk u dorëzuan. Përkundrazi.

Ishin xhudistët kosovarë të udhëhequr nga trajneri më i suksesshëm në historinë e sportit kosovar, Driton Kuka, ata që nuk u ndalën asnjëherë dhe në kohët më të vështira arritën t’i sigurojnë medalje Kosovës, duke e mbajtur kështu vendin tonë në piedestal në arenën ndërkombëtare.

Kuka në një bisedë ekskluzive për Demokracia.com ka rrëfyer për vështirësitë e vitit të kaluar, sukseset, rikthimin triumfues të së artës kosovare Majlinda Kelmendit, medaljet e ditëve të fundit të fituara në Doha të Katarit dhe për pritshmëritë që ka për Olimpiadën “Tokio 2021”.

Demokracia.com: Për shkak të pandemisë, 2020 ishte vit i vështirë për sportin në përgjithësi, por xhudoja vazhdojë me suksese. Fillimisht, si e përshkruani vitin që sapo lamë pas?

Driton Kuka: Një vit i rëndë, definitivisht, në çdo aspekt, për njerëzimin e gjithashtu edhe për sportin, sidomos sportin elitar. Por, ne nuk u ndalem. Edhe pse u izoluam me muaj, megjithatë nuk i kemi ndërprerë stërvitjet. Kjo na u shpërblye, pasi në fundvit erdhën medaljet elitare nga garuesit e sportit tonë.

Demokracia.com: Në Mastersin e fundit nga pesë garues morët katër medalje, një sukses i jashtëzakonshëm. A i bie kjo që i keni tejkaluar pritshmëritë tuaja?

Driton Kuka: Sa për Mastersin ende nuk po më besohet dhe më duhet ende kohë për të kuptuar mirë rëndësinë dhe peshën e kësaj. I kemi lënë prapa superfuqitë si Rusia, Brazili, Italia, Gjermania e Spanja. Më duhet kohë me u kthjell nga ky rezultat kaq i mirë. E tërë kjo është e pabesueshme për mua. Në anën tjetër, të gjithë xhudistët ishin ashtu siç gjithmonë kam ëndërruar t’i shoh.

Demokracia.com: Lajmi i mirë është se edhe Majlinda u rikthye nga lëndimi dhe arriti te medalja. Cila është forma aktuale e saj dhe sa është e gatshme ta arrijë formën që kishte para lëndimit?

Driton Kuka: Majlinda pas 15 muaj u rikthye me medalje dhe atë në nivelin më të lartë. Jam i sigurt që ajo shpejt do të kthehet aty ku e ka vendin.

Demokracia.com: Për fund, a janë këto sinjale se Kosova është gati për një tjetër medalje olimpike, pas asaj të Majlinda Kelmendit në vitit 2016?

Driton Kuka: Kam besim të madh që do vjen edhe medalja olimpike. Kjo gjeneratë e meriton, sidomos për punën, angazhimin dhe përkushtimin që kanë dëshmuar. Janë të gjithë në kulm të karrierës. Dua që edhe atje, në Olimpiadë, të jenë të tillë. Prandaj besoj shumë që do të kthehemi me medalje. /Demokracia.com/

Të ngjashme