Sot janë bërë pesë vjet nga rënia në krye të detyrës e pjesëtarit të Policisë së Kosovës dhe ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Izet Demaj.
Në pesëvjetorin e rënies, familjarë e miq, e kanë kujtuar dhe nderuar veprën e tij.
Vajza e tij, Valza, e ka kujtuar rënien e tij me një postim emocional.
“Babi, Çdo mëngjes e çeli me ni ndjenjë që ti hala je në mesin tonë, akoma mendoj që ti je ai që ka me më përcjellë deri në shkollë, mandej vjen ora 16:00 e une me Motrën prap të presim ty njëashtu qysh jena kon tu t’pritë 5 vite më parë me u kthy. Kjo jetë tashmë është shumë e vështirë, një kohë kam pas përshtypjen që asnjëgjë me radhë nuk ka me ec mirë, por jam kthy prapa e kam mendu që me u dorëzu ti se kishe dashtë si opsion për mu”, ka shkruar ajo.
Vajza e heroit Izet Demaj ka folur edhe për mënyrën sesi e ka edukuar babai.
“Më ke rritë për të qenë gjithëmonë vetëvetja, guximtare e sy-hapur e do të jenë këto tre tiparet karakterizuese të udhëtimit tim në këtë jetë pa ty,që gjysmë dekade nuk t’kam pa e ditët që kan me u shtu s’kam me mujt me i ndalë, krenare lutem me t’bo, të paktën gjithmonë kam me u përpjekë thjeshtë lutem që shpirti yt tash është në paqe dhe i qetë!”, ka shtuar ajo.
“Pusho i qetë Babi im pranë shokëve që i deshte shumë, se ne do të rritemi me dashurinë për ty dhe shpresën se Kosova do të behet ashtu siç e dëshiroje ti, e qetë, e suksesshme dhe e sigurt”, ishin fjalët e Valëzës, vajzës së vogël të Izetit.
Në përvjetorin e rënies, Izet Demajn e ka kujtuar edhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
”Në 5-vjetorin e vrasjes së Izet Demaj kujtojmë sakrificën e tij të pashembullt, luftëtarin e guximshëm në kohë lufte e heroin e Kosovës në paqe. Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit. I përjetshëm do jetë kujtimi për Ty, shoku im, Izet Demaj!”, ka shkruar Ferati.
Policin e rënë në krye të detyrës e ka kujtuar edhe miku i tij, afaristi i njohur Hektor Beqiri.
Beqiri e ka kujtuar veprimtarinë e Izet Beqirit, si në kohë lufte, po ashtu edhe në paqe.
“Pesë vjet pa shokun Izet Demaj!
Ushtar i mirë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe mbrojtës i saj nga e keqja në kohë paqeje. I tillë ishte Izeti për të gjithë ata që e njihnin. Pesë vjet më parë, familja mbeti pa kryefamiljarin. Ne miqtë, pa shokun. Ndërsa, Kosova pa djalin që çdoherë e mbrojti!”, ka shkruar ai.
Beqiri ka thënë se Izeti ishte i gatshëm çdoherë në mbrojtje të atdheut.
“Ushtari UÇK-së e pjesëtari i Policisë së Kosovës, i lidhur ngushtë me uniformën, ishte në gjendje që ta sakrifikonte edhe jetën për Kosovën e lirë, pa thundrën e armikut të saj shekullor dhe pa keqbërësit grabitçarë. Do të kujtojmë përherë, mik! Pusho i qetë në përjetësi!🙏”, ka shkruar Beqiri.