Lajme
Kujtimet e luftëtarëve që u inkuadruan në UÇK pa i mbushur 18 vjet
Demokracia
22:39 | 14 Gusht 2023

Share:

Një grup i ish-luftëtarëve që ishin bërë pjesë e UÇK-së ende pa i mbushur 18 vjet janë mbledhur në Prekaz pas 23 vjetësh. Aty, ata kanë evokuar kujtime nga ditët e vështira. Pos rrëfimeve drithëruese, nuk kanë munguar as batutat mes tyre, siç nuk kanë munguar as këngët që i kanë kënduar gjatë luftës.

Dikush u kishte qëndruar afër atyre që më vonë u bënë komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dikujt i ishte inkuadruar vëllai në ushtri, një tjetër ishte frymëzuar nga komandanti legjendar Adem Jashari, dhe të gjithë së bashku, ende pa i mbushur 18 vjet kishin kapur armët për ta çliruar vendin.

Pas 23 vjetësh, ata u mblodhën në Skenderaj, dhe aty evokuan kujtimet për kohën e luftës. Nuk munguan as batutat dhe këngët që dikur u jepnin forcë në front.

Esat Jashari rrëfen për Tëvë1 se ishte njëri nga shumë fëmijët e lagjes Jashari të Prekazit që kishte mësuar armatimin qysh si i vogël.

“Qysh n’moshën kur ishim shumë të vogël, jo vetëm 16 vjeç po edhe më herët kur kemi qenë 13-14 vjeç jemi mësu me armatim, jemi mësu bash prej komandantit e Sahit Jasharit, Bashkim Jasharit komandantit të FSK-së, Rrahman Rama e krejt shokët e tyre çka kanë qenë në lagjen tonë edhe i kemi pa çdo ditë. Edhe na kanë mësu me punu me armatim mu e këta kushërinjtë e krejtve”, thotë Jashari.

Por si iu bashkua ai dhe shumë djem të tjerë UÇK-së, ende pa i mbushur 18 vjet?

“Meqenëse e kisha vëllaun në ato rrjedhje, e kam vëllaun dëshmor, ai në atë kohë ishte në ato rrjedhje, edhe unë në bazë të tij, jam afru afër tij”, thotë Lirim Musliu.

Agron Ahmeti thotw se frymëzim e kishte komandantin Adem Jashari

“Jam frymëzu prej komandantit legjendar Adem Jashari, që i takojmë edhe na atij fshati. Edhe tash jam pjesëtar i FSK-së kështu që s’ju kam ndalë asaj rrjedhe deri tash”, thotw ai.

“Unë jam kyqë fill mas ramjes së komandantit legjendar Adem Jashari në mars. Vullneti s’na ka mungu, ani pse s’kemi pasë, na e dimë qysh është ba lufta e UÇK-së. S’ka pasë organizime të mëdhaja, s’kemi pasë me çka me luftu, i kemi pasë do armë shumë të vjetra, s’kemi pasë municion po me çka kemi mujtë, dikur jemi forcu pak”, shprehet Sami Ismajli.

E në frontin e luftës, ata u përballën edhe me çaste të dhimbshme.

“Momenti më prekës ka qenë kur njëri nga dëshmorët e rënë ka ndërru jetë në prehrin tim dhe aty i kam marrë edhe plagët e para të lirisë”, thotw Agim Hoti

Mirëpo në mesin e gjithë dhimbjeve, pati edhe çaste gëzimi.

“Ishim në një ofensivë edhe rastësisht u diskutu me do shokë të luftës edhe më ka ra në mend që është data i katërti që ish datëlindja ime edhe rastësisht ish ajo që sot e kam datëlindjen. Edhe tanë shokët ma urun edhe e festum në atë mënyrën asnjë send nuk kishim me festu ama e festum në atë mënyrën sa më simbolike edhe ‘’urime urime edhe 100 tjera edhe me liri t’Kosovës”, shprehet Driton Temaj.

Herë pas here, ata mishërohen me ngjarjet e kaluara.

“Për me goditë me mitraloz të rëndë ky e ka pasë për detyrë me mbajt 20 mm, që i themi ne zingjirin me municion. Jetoni me goditë e unë me mbajtë në trup Jetonin se të rrëzoje. Dmth kjo ka qenë edhe forma tre vetë me një gulinov përballë armikut. Tre 17 vjeçarësh. Ndonjëherë kur e kam dikë afër ose këtë kur e zë e e kapi, me duket që jam në atë moment, mishërohem, rikthehem në ngjarje”, shprehet Agron Kajtazi.

Kjo gjeneratë e ish-luftëtarëve të UÇK-së pretendojnë të mblidhen më shpesh me shpresën se do t’u bashkohen edhe pjesëtarë të tjerë që janë futur në luftë si të mitur.

Të ngjashme
Lajme • 16 Qershor 2024