Lajme
Kuçi: Molliqaj s’ka pranuar ftesë nga gjykata
Demokracia
12:04 | 15 Qershor 2022

Share:

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka reaguar pas lëshimit të urdhërarrestit për Dardan Molliqajn, duke thënë se i pari i PSD-së s’ka pranuar ftesë të rregullt nga gjykata.

Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë ditës ka urdhëruar sjelljen me forcë të Molliqajt pasi ai dyshohet për sulm fizik ndaj Haki Abazit.

‘‘Gjykata Themelore në Prishtinë pa asnjë arsye ka lëshuar urdhërarrest ndaj z. Molliqaj!’’, ka shkruar Kuçi kundër vendimit të gjykatës.

Ajo ka shtuar se për këtë vendim janë njoftuar vetëm përmes medieve, dhe Molliqaj s’ka pasur ndonjë ftesë zyrtare nga gjykata ‘‘në përputhje me procedurën përkatëse në fuqi, e rrjedhimisht lëshimi i këtij urdhërarresti duket që është nxjerrë në shpërputhje me kushtet e parapara ligjore’’.

Kuçi ka ftuar gjykatën që të publikojë dëshmi se ftesa është dërguar sipas procedurave të kërkuara. Po ashtu, zëdhënësja e PSD-së ka thënë se Molliqaj po vazhdon agjendën e tij të përditshme dhe se policia e di saktë ku banon e ku punon ai.

Të ngjashme