Lajme
Kuçi: Masat e BE-së, më shumë se për Kosovën janë për Albin Kurtin
Demokracia
14:20 | 03 Korrik 2023

Share:

Më 28 qershor, Qeveria e Kosovës është njoftuar zyrtarisht me masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Në mesin e sanksioneve të përkohshme nën të cilat ndodhet tashmë Kosova janë “ngrirja” e punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesa e Kosovës në takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 si dhe pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova gjithashtu ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale me vlerë 7.6 miliardë euro, ku të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen nga BE-ja për këtë çështje.

Për socialdemokratët, këto masa ndëshkuese janë kryekëput masa ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në një përgjigje për Periskopin, Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, ka vlerësuar se sanksionet e vendosura nga BE-ja janë rezultat i pranimit të marrëveshjes së Ohrit. Sipas Kuçit, qeveria Kurti duke tentuar të zvarrisë themelimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe, ka ndërmarrë veprime të njëashme të cilat më pas kanë çuar deri tek masat e para ndaj Kosovës.

“Masat e BE-së ndaj Kosovës, për PSD-në janë pasojë e veprimeve të njëanshme të Kurtit në veri të vendit, si dhe rezultat e pranimit të marrëveshjes së Ohrit. Qeveria e Kosovës duke dashur ta zvarrisë çështjen e themelimit të Asociacionit, kemi arritur deri te masat e para. Por këto masa, më shumë se për Kosovën, janë masa për Kurtin”, ka thënë Kuçi për Periskopin.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka quajtur “të padrejta” sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Ai ka thënë se këto masa janë të përkohshme.

Kurti ka shtuar gjithashtu se qeveria e tij “s’mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit”.

Të ngjashme