Sport
Kuc: Jemi të fokusuar maksimalisht për të arritur rezultat pozitiv ndaj Klasvikut
Demokracia
13:39 | 09 Gusht 2022

Share:

Futbolli kosovar po vazhdon të përfaqësohet në garat evropiane nga skuadra e Ballkanit që në sezonin e fundit ishin kampion të Superligës.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri Ilir Daja është duke garuar në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Suharekasit bën një paraqitje fantastike ndaj skuadrës së Ishujve Faroe, Klasvik duke fituar me rezultat 3-2 të enjten e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Loja e bukur me aksione të rrjedhshme po vazhdon të aplikohet edhe në garat Evropiane që po konkretizohet me gola të bukur. Të tillë ishin edhe tre golat e fundit të Ballkanit ndaj Klasvikut, Nazmi Gripshi, Meriton Korenica dhe Albion Rrahmani dhuruan spektakël me golat e tyre të shënuar të cilët ishin secili më i mirë se tjetri.

Të enjten nga ora 20:00, Ballkani e luan ndeshjen e kthimit ndaj Klasvikut në Ishujt Faroe me një klimë pak më ndryshe se kjo e tanishmja në Kosovë.

Djelmoshat e Ilir Dajës duhet t’a mbrojnë rezultatin ose të luajnë baras për të kaluar në rundin final të kësaj gare.

Ballkani deri në rezultatin 3-0 ishte duke e dominuar lojën në tërësi, por nga dy ndërprerje në minutat e 69-të dhe 88-të, suharekasit i pësuan dy gola, gola të cilat ia vështirësojnë punët për ndeshjen e kthimit.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuc në një intervistë për Gazetën Enigma, ka thënë se e dinin që Klasviku ishin të rrezikshëm nga goditjet standarde, por ai thotë se këto gabime nuk duhet të përsëriten në ndeshjen e kthimit.

“Ne ishim dominues gjatë gjithë lojës, ishim 3-0, kundërshtari na kërcënoi nga situata standarde, e dinim se ishte arma e tyre më e mirë.  Kishim kohë për të analizuar të gjitha gjërat e mira që duhet të vazhdojmë të bëjmë dhe gabimet që nuk duhet të bëjmë”, thotë fillimisht kapiteni i skuadrës, Edvin Kuc.

Temë diskutimi pas përfundimit të lojës kanë qenë minutat e fundit të Ballkanit të cilit u shfaqën të lodhur, duke bërë që në minutat e fundit t’i pësonin dy gola.

Mesfushori 28-vjeçar i Ballkanit, Edvin Kuc thotë se asnjë skuadër në botë nuk mund t’i luajë 90 minuta në ritëm të njëjtë.

“Të gjithë mendojnë se ishim të lodhur, sigurisht që nuk mund të luajmë të gjitha 90 minutat në të njëjtin ritëm, asnjë skuadër në botë nuk mund ta bëjë këtë, po e përsëris, kemi pranuar gola nga gjuajtjet e lira, jo nga veprimet e luajtura”, vlerëson Edvin Kuc.

28-vjeçari thotë se atë dhe skuadrën e tij e pret një punë e vështirë të enjten, por jam të fokusuar për një rezultat pozitiv.

“Duhet të jemi gati dhe të përshtatemi me të gjitha kushtet, e dimë që na pret një ndeshje e vështirë dhe jemi të fokusuar maksimalisht për të arritur një rezultat pozitiv”, shprehet i bindur Edvin Kuc për Gazeten Enigma.

Edvin Kuc shprehet i bindur se Ballkani do të kualifikohet në play – off dhe do të japin më shumë se 100 % prej tyre për ndeshjen e nesërme.

“Ne do të arrijmë një rezultat pozitiv dhe do të kualifikohemi në play-off, kemi cilësi, kemi një epërsi prej 1 gol, do të japim më shumë se 100% të mundësive tona për të lumturuar të gjithë tifozët tanë”, thotë ai.

Nëse Ballkani, kualifikohet do të luajë në play – off, nëse arrin që ta kaloj edhe një ndeshje, atëherë do të kualifikohej në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

Ndeshjet e para do të luhen më 18 gusht, kurse ato të kthimit më 25 gusht. /Demokracia.com

Të ngjashme