Lajme
Ku mbeti Bashkimi Kombëtar? Kurti sot: Dy shtete – një komb, jemi me Shqipërinë
Demokracia
17:42 | 02 Mars 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti si një ndër kauzat kryesore të partisë, madje të vendosur si dispozitë kryesore në statutin e partisë e kanë pasur gjithmonë bashkimi me Shqipërinë.

Por, që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, duket se kanë lëvizur edhe qëndrimet e Vetëvendosjes. Kështu së paku rezulton aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje si forcë qeveritare krahasuar me Lëvizjen Vetëvendosje si parti opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjersa po debatohej për ujdinë në Bruksel midis tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe po tematizohej çështja e marrëveshjes gjermnao-gjermane, ai ka treguar se çfarë u ka thënë emisarëve në këtë rast.

Ai shprehet ndër të tjera se “dy shtete, një komb, jemi më Shqipërinë, jo me Serbinë”.

”Unë u kam thënë pesë emisarëve, po e them shumë hapur, unë e kuptoj idenë e tyre, për njohjen ‘de facto’ midis dy Gjermanive. Por konteksti historik dhe raportet janë krejtësisht të tjera. Unë ua kam thënë në secilin takim atyre, se nëse janë duke menduar gjermano-gjermane Kosova me Serbinë, unë filloj të ndjehem menjëherë francez. Kjo ka qenë fjala ime, nëse ju besoni gjermano-gjermane Kosovë-Serbi, unë filloj të ndjehem francez, sepse dy shtete, një komb, jemi me Shqipërinë, jo me Serbinë. Por, formulimet që merren legalo-juridike dhe futen në këtë propozim, unë i trajtoj të dekonteksualizuara historikisht edhe ata nuk ia kanë vënë titullin mbi bazën e modelit të dy Gjermanive sepse ka edhe gjëra të ndryshme siç dihet”, tha ai para deputetëve.

Në statusin e Lëvizjes Vetëvendosje, në nenin e parë të dispozitave të përgjithshme përmendet edhe e drejta për bashkimin me Shqipërinë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është lëvizje politike që e synon faktorizimin e popullit në vendimmarrjen politike nëpërmjet organizimit dhe mobilizimit të tij. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, duke u mbështetur në parimin e barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale të çdo qytetari. Lëvizja VETËVENDOSJE! synon një Kosovë sovrane, pra një Kosovë, që ka kontroll në burimet natyrore të saj dhe që e gëzon të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të veten, si dhe të drejtë për bashkimin me Shqipërinë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka si qëllim të saj një Kosovë ku sovraniteti buron nga vullneti i popullit që e gëzon të drejtën për vetëvendosje të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që populli të jetë i lirë dhe i papenguar në organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike, sipas nevojave dhe interesave të tij.”, thuhet në statusin e LVV-së.

Nuk dihet nëse Kurti dhe subjekti i tij politik mbajnë ende qëndrimet e njëjta karshi bashkimit me Shqipërinë.

Të ngjashme