Lajme
Ku është Prindon Sadriu? – ‘Zotëriu i Parë’ as edhe një fjalë për dënimin prej 13 mijë eurosh
Demokracia
21:57 | 26 Korrik 2022

Share:

Bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu, i ka ndodhur këto ditë ajo që rrallë herë i ndodhë atij: Heshtja kur për të raportohet diçka në media. Që disa ditë, “Zotëriu i Parë” s’është parë të jetë aktiv me statuse, ndonëse javën që kaloi ishte ndër kryetemat që u përfol e u raportua në media.

13 mijë euro është shumë që Ministria e Punëve të Jashtme do të paguaj në formë dënimi për shkak se nuk dha qasje në dokumente publike për udhëtime apo karburante të diplomatit Prindon Sadriu, gjatë periudhës shkurt 2019 – shkurt 2022.

Sipas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi – MPJ është gjobitur me tre mijë euro për shkak të moszbatimit të vendimit Nr A-272/2022 për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike, derisa 10 mijë të tjera për moszbatimin e vendimit Nr A-272/2022 dhe për pamundësimin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.

Ndonëse 13 mijë euro janë shumë e madhe për standardin e jetesës në Kosovë, duket se kjo nuk i ka bërë fort përshtypje bashkëshortit të presidentes Osmani, i cili që nga ajo kohë nuk ka lëshuar asnjë reagim.

Siç rëndom ndodhte, Sadriu sa herë që kishte raportime në media për të, ai sulej të sulmonte gazetarët, e në një rast kishte shkuar deri në eskalim, ku mediat i kishte quajtur hiç më pak se “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Por, Sadriu siç duket ka gjetur një angazhim që atë e ka mbajtur larg reagimeve publike në lidhje me këtë rast. Ai tanimë po e luan rolin e zëdhënësit të presidentes Osmani.

Mjafton të hedhësh një shikim në profilin e Sadriut në Facebook dhe kjo vërehet lehtë.

Për dallim nga herat e kaluara, ku Sadriu kishte një numër të madh të postimeve/statuseve politike, apo herë – herë kur sulmonte mediat, ai tanimë “murin” në profilin e tij e ka të mbushur me lëvdata për MPJ-në e shpërndarje të aktiviteteve të presidentes Osmani.

Ndryshe, MPJ sipas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në lidhje me dënimin në fjalë, ka 30 ditë kohë për ankesë.

Sadriu deri para pak kohësh ishte në rolin e ushtruesit të detyrës së ambasadorit të Kosovës në Shkup, derisa e liroi këtë pozitë pasi që aty u emërua Florian Qehaja.

Të ngjashme