Lajme
Ku është flamuri i Kosovës? Në takimin e Osmanit me kryeministrin e Katarit nuk figuron askund
Demokracia
18:18 | 30 Mars 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dha jehonë vizitës së saj në Katar, ku mori pjesë në forumin e Dohas. Megjithatë, ajo siç duket ka harruar ta publikojë një prej fotografive që flet shumë për këtë vizitë, atë me kryeministrin e Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al, ku askund nuk duket flamuri i shtetit të Kosovës.

Postimet e fundit të Osmanit në rrjetin social Facebook, tregojnë vetëm për vizitën e saj në Katar, ku zhvilloi disa takime, raporton Demokracia.com.

Megjithatë, ndryshe prej asaj që ka vepruar në rrjetin social Twitter dhe në faqen zyrtare të Presidencës, Osmani në Facebook nuk e ka publikuar fotografinë e një takimi, ku nuk figuron askund flamuri i Kosovës, por vetëm ai i Katarit.

“Kosova është e bekuar që ka miq në të gjithë botën. U takova me kryeministrin Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al që të shpreh mirënjohjen e popullit tonë për përkrahjen e vazhdueshme. Si dy shtete paqedashëse, ne jemi të përkushtuar që t’i fuqizojmë lidhjet tona”, ka thënë Osmani në Twitter.

Presidentja e Kosovës ka audiencë mjaft të madhe në Facebook dhe injorimi që i është bërë flamurit të Kosovës sigurisht e ka shtyrë të mos e publikojë. Osmani e ka publikuar në fakt një foto nga ky takim me kryeministrin e Katarit, por jo atë ku mungon flamuri i Kosovës.

Vlen të përmendet se Demokracia.com ditë më parë raportoi se Agjencia e Lajmeve të Katarit, duke raportuar për një intervistë të Vjosa Osmanit, ka thënë se “Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2011”.

Ky lajm më pas u citua edhe nga shumë media të tjera të lexuara të këtij vendi. /Demokracia.com/

Të ngjashme