Auto&Tech
Ku duhet të drejtohemi në rast të shkeljes së të dhënave personale?
Demokracia
11:57 | 29 Janar 2023

Share:

Në Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë. Mirëpo sa qytetarë të Republikës së Kosovës janë në dijeni se ka një adresë specifike në Kosovë ku mund të drejtohemi në rast se bëhet shkelja e tyre?

Në emisionin “Shpirti i Vikendit” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini, është udhëheqësi i divizionit për trajtimin e ankesave për mbrojtjen e të dhënave personale, Ardian Arifi i cili na tregon më shumë për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Agjencia për informim dhe privatësi është institucion i pavarur i cili ka në mbikëqyrje dy ligje kryesore që lidhen me të drejtat e njeriut. Ne mbikëqyrim ligjin për qasje në dokumente publike i cili është e drejtë kushtetuese për qasjen në dokumente publike. Po ashtu, kemi edhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale e cila njëkohësisht është edhe që përfshin privatësinë e cila është edhe e drejtë kushtetuese. Pra, jemi institucion i pavarur, i përgjigjemi Kuvendit të Kosovës dhe kemi autorizime sa i përket mbikëqyrjes së këtyre dy ligjeve…Agjencia është autoriteti i vetëm në Kosovë i cili bën mbikëqyrjen e këtij ligji përmes inspektimit, përmes kontrolleve, përmes vetëdijesimit të popullatës”, ka treguar Arifi.

Ky i fundit bën një krahasim në mes të dhënave dhe monedhave gjersa thekson se të dhënat personale duhet të ruhen sikurse monedha.

“Gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm se kujt po ia japim të dhënat. Domethënë të dhënat apo privatësia mund të shkelen në shumë aspekte pra, kujdesi kryesor është tek qytetarët. Pastaj vjen Agjencia e cila i realizon të drejtat e tyre. Por, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që të dhënat e tyre personale t’i trajtojnë si monedhën. Për shembull ne jemi të kujdesshëm kur shpenzojmë një shumë të parave, gjithashtu duhet të ndodhë edhe me të dhënat personale sepse ato, në kohën ku po jetojmë janë si  monedhë, monedhë e së ardhmes i quajmë, ku kompanitë e ndryshme duke përdorur të dhënat personale të subjekteve, ato krijojnë përfitime për kompanitë e tyre”, ka deklaruar ai.

Udhëheqësi i divizionit për trajtimin e ankesave për mbrojtjen e të dhënave personale, Ardian Arifi në “Shpirti i Vikendit”, në Radio Dukagjini

Krahas kësaj, Arifi ka treguar se e dhënë personale është çdo informacion të cilin e identifikojnë një subjekt, personat fizikë apo qytetarët, ku në mënyrë direkte apo indirekte ata mund të identifikohen.

Arifi ka treguar se numri më i madh i ankesave vije për vëzhgimin me kamerë, marketingun e drejtpërdrejtë për  promovimin e produkteve të kompanive, publikimi i të dhënave dhe keqpërdorimi i tyre të tjera.

Sa i përket vëzhgimit me kamerë, Arifi ka thënë se bazuar në ligjin e mbrojtës së të dhënave personale, ai duhet të vendoset në rastet kur kërkohet për sigurinë e njerëzve, pronës dhe në raste të caktuara, për  sigurinë e dokumenteve konfidenciale. E rëndësishme sipas tij e institucioneve për të kuptuar është edhe perimetri i vëzhgimit të cilin lejohet ta bëjnë.

Policia e Kosovës është e vetmja e cila mund të vendosë kamera në hapësira publike, ka treguar Arifi. Ndërkaq, për sa i përket banesave kolektive, Arifi ka treguar se për vendosjen e tyre duhet marrë miratimi i 70 për qind të banorëve ashtu që kamerat duhet të vendosen, i paraparë me ligj. Të njëjtat duhet të jenë në hyrje të objektit por jo të apartamenteve e njëherit, edhe të caktohet një person përgjegjës për sistemin dhe mbrojtjen e tij. Një rëndësi të posaçme e ka edhe shenja apo njoftimi se ky vendbanim është nën vëzhgimin e kamerave.

Të ngjashme