Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot në objektin e Ministrisë i ka shkuar një prind.
Ajo tha se prindi i ka treguar që në dhjetor të vitit 2021 ka pasur një tentim dhunim të vajzës së tij 14-vjeçare.
Në komentin e saj ka pasur reagime të qytetarëve, duke e konsideruar si adrës të gabuar adresimin e problemit.
“Albulena Haxhiu, me e drejtë do të ishte t‘a adresonit ne organet kompetente se sa në këto rrjete sociale. Nuk ndërtohet shteti dhe nuk luftohet krimi përmes rrjeteve sociale, po duhet marrë veprime konkrete. Ne si qytetarë do të ishim me të kënaqur të lexonim se si është luftuar krimi dhe jo si ka ndodhur krimi. Kthjelluni se nuk jeni askund”, i ka shkruar një qytetarë.
Ministrja i ka thënë se organet kompetente e kanë lëshuar personin.
Në rrjetin social të saj, ministres i ka reaguar edhe Leonida Molliqaj nga organizata QIKA.
“Ky status mbjellë frikë e pasiguri tek të gjitha vajzat e gratë e Kosovës. Ministria e Drejtësisë nuk është zyre e ankesave. Nëse dikush kërkon ndihmë te ministrja dhe ajo zgjedh veç të ankohet në Facebook, paramendoni si veprojnë policia dhe institucionet tjera”, ka shkruar ajo.