Ish-deputetja shqiptare Grida Duma, ka vizituar Nasim Haradinajn pas lirimit nga Haga.
Ajo ka thënë se kthimi i Haradinajt në shtëpi është një nga gjërat më të bukura që i ka ndodhur vendit në kohët e fundit.
Duma ka publikuar një video nga vizita që i ka bërë Haradinajt, shkruan Demokracia.com.
Duma gjatë kësaj vizite është shoqëruar nga deputetja e PDK, Ganimete Musliu.
“Lajmi shumë i mirë, që Nasim Haradinaj, luftëtar i shquar i luftës çlirimtare të Kosovës, u lirua nga Gjykata e Hagës, ishte shtysë e madhe që ta vizitoja në shtëpinë e tij në Gllogjan. Nasimi ka një familje, pak të thuash, unike.
Shoqja dhe gruaja e tij e jetës, thotë, jemi “shokë idealesh”, jeta e tyre bashkë. Ganimetja, mikja ime, kishte merak e emocion të veçantë ta takonte Nasimin, i cili ishte personalitet krejt i spikatur njerëzor, perveçse burrëror. Na priten e na përcollen me një atmosferë gati epike, në përshëndetje, mesazhe e ndjesi. Vlejti shumë që sensova aty idealet e atyre që ende thonë “çështja e kombit s’ka mbaruar”. Kthim i bukur e i madh i Nasim Haradinajt në shtepinë e familjen e tij të madhe patriotike.”, ka shkruar Duma.