Lajme
Kryeziu: Shumica që s’arrin t’i mbajë seancat, më mirë të dorëhiqet
Demokracia
15:07 | 19 Prill 2023

Share:

Ismet Kryeziu, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, ka thënë se shumica parlamentare që s’arrin t’i mbajë seancat e rregullta plenare të Kuvendit duhet të vetëdorëhiqet e t’i hapë rrugë legjitimitetit të ri politik.

Deklarata e tij të mërkurën erdhi pasi Kuvendi dështoi të mbajë sërish seancë plenare. Në reagimin në Parlament, kryeparlamentari Glauk Konjufca akuzoi deputetët duke i quajtur “të papërgjegjshëm” e duke thënë se “Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”.

“Mirë e ka Kryetari i Kuvendit, por ai duhet ta fillojë këtë zhvillim politik!? Një shumicë parlamentare që nuk arrin të mbajë seanca të rregullta plenare për shkak të papërgjegjësisë së deputetëve, është më mirë të vetëdorëhiqet dhe t’i hapë rrugën një legjitimitet të ri politik”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Seanca e paraparë të mbahej sot u shty dy herë në mungesë të deputetëve. Fillimisht kryeparlamentari Glauk Konjufca shtyu për dy orë fillimin e seancës duke shpresuar në mbledhjen e deputetëve. Megjithatë ata nuk u mblodhën as pas shtyrjes së shkurtër. Si pasojë, Konjufca ka njoftuar se seanca shtyhet e se për mbajtjen e saj do të njoftohet me kohë.

Seancat parlamentare në shumë raste janë mbyllur në mungesë kuorumi.

Të ngjashme