Lajme
Kryeziu për ngërçin institucional: Përgjegjësinë më të madhe e ka LVV-ja, rrezikojmë të futemi në një cikël krizash!
Demokracia
22:16 | 30 Maj 2025

Share:

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka komentuar krizën e madhe politike në vendin tonë, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje është ajo që ka përgjegjësinë kryesore, si partia më e votuar nga zgjedhjet e fundit, transmeton Periskopi.

Ai tha se nëse nuk ka një zgjidhje të pranueshme mes partive, atëherë zgjedhjet janë rruga më e mirë për të marrë legjitimitetin e ri nga qytetarët.

“Përgjegjësi kanë të gjithë deputetët dhe partitë politike, por përgjegjësinë më të madhe e ka partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje si parti e parë, pra Lëvizja Vetëvendosje. Nëse subjektet politike nuk dëshirojnë të gjejnë një zgjidhje, atëherë zgjedhjet janë rruga më e mirë për të marrë legjitimitetin e ri nga qytetarët. Unë personalisht, jam skeptik që mund të ketë ndryshime të mëdha me zgjedhjet e reja, por ato mund të ndryshonin pozicionet politike“, tha fillimisht ai.

Tutje, Kryeziu tha se hyjmë në një fazë kur shteti pothuajse do të jetë në një bllokadë, duke filluar nga procesi i zgjedhjeve lokale, mungesa e një Kuvendi dhe Qeverie funksionale, deri tek procesi i zgjedhjes së presidentit.

Ai shtoi se kjo ndodh për arsye se kemi një vakum ligjor dhe kushtetues, i cili nuk jep zgjidhje dhe është i bazuar tek vullneti politik.

“Ne po hyjmë në një fazë kur shteti pothuajse do të hyjë në një bllokadë. Jemi në fazat kritike kur duhet të shpallen zgjedhjet lokale, e kemi mungesën e parlamentit dhe qeverisë, si dhe së shpejti do të kemi krizën tjetër për zgjedhjen e presidentit. Pra ne rrezikojmë që shteti jonë të jetë në pauzë deri në muajin maj apo prill të vitit të ardhshëm. Kjo ndodh për arsye se kemi një vakum ligjor dhe kushtetues, i cili nuk jep zgjidhje dhe është i bazuar tek vullneti politik. Nëse nuk do të ketë presion nga qytetarët apo një praktikë tjetër siç është lehtësimi nga ndërkombëtaret për një marrëveshje politike, ne rrezikojmë seriozisht të futemi në këtë cikël krizash“, përfundoi Kryeziu.

Të ngjashme