Sport
Kryeziu para ndeshjes me Gjilanin: Arbëria nuk ka asgjë për humbur, udhëtojmë vetëm për fitore
Demokracia
19:56 | 02 Mars 2021

Share:

Futbollisti i Arbërisë së Dobrajës, Almir Kryeziu e ka komentuar ndeshjen e radhës skuadrës së tij në Superligën e Kosovës.

Në kuadër të javës së 23-të, skuadra nga Lipjani është mysafire e Gjilanit në Gjilan, shkruan Demokracia.com.

Të dyja skuadrat vijnë pas rezultateve të dobëta së fundmi, andaj fitorja është opsioni i vetëm për të dyja.

Kryeziu, i cili po kalon nëpër një formë të mirë këtë edicion, është shprehur optimist për këtë ndeshje.

Në një prononcim për Demokracia.com, Kryeziu thotë se Arbëria në Gjilan udhëton vetëm për fitore.

“Në këtë ndeshje nuk kemi asgjë për të humbur, në Gjilan udhëtojmë vetëm për fitore”, ka deklaruar reprezentuesi i Kosovës U21.

Derisa edhe Gjilani nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë, Kryeziu shpreson se skuadra e tij ta shfrytëzojë këtë.

“Ka qenë shumë e vështirë humbja me Feronikelin duke e ditur faktin se kemi bërë një ndeshje të mirë, kemi krijuar raste, por fati nuk ishte me ne. Mendoj që formën e dobët të Gjilanit duhet ta shfrytëzojmë në maksimum dhe pse jo t’i marrim tri pikë”, përfundoi të martën Almir Kryeziu.

Ndryshe, ndeshja Gjilani – Arbëria luhet të shtunën me fillim nga ora 13:00. /Demokracia.com

Të ngjashme