Lajme
Kryeziu i KDI-së: VV-ja po pozicionet për të qëndruar në opozitë ose për zgjedhje të reja
Demokracia
12:46 | 24 Prill 2025

Share:

Drejtori i Institutit të Kosovës për Demokraci, Ismet Kryeziu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje pasi nuk po arrin të sigurojë shumicën për një qeveri stabile me mandat të plotë, sipas tij pas refuzimit nga LDK-ja, po pozicionohet për të qëndruar në opozitë ose për të shkuar në zgjedhje të reja.

Ai në një postim në Facebook thekson se VV-ja po përgatitet për zgjedhjet e afërta gjatë këtij viti, apo edhe për zgjedhjet e vitit 2026.

“Nuk po synon të formojë një qeveri me minimumin prej 61 votash, pasi një qeveri e tillë do të ishte e paqëndrueshme dhe e rrezikuar nga fillimi. Nga ana tjetër, nuk po do as të rrezikojë një tjetër përpjekje të dështuar për koalicion, kësaj radhe me PDK-në, e cila mund të refuzojë njëjtë siç bëri LDK-ja. Pra, me shumë gjasë do të shmang PDK-në si mundësi për bashkëqeverisje, së paku në këtë situatë dhe do provokojë zgjedhje të reja. Por, duke u siguruar për të ruajtur një pjesë të kontrollit institucional, siç është posti i Kryetarit të Kuvendit”.

“Asnjë veprim më tutje për të siguruar numra dhe konsensus, në një farë mënyre arsyeton këmbënguljen për përzgjedhjen e Albulena Haxhiut, si kandidate për Kryetare të Kuvendit. Nga njëra anë, e njohur për besnikëri ndaj linjës së VV-së dhe liderit të saj; nga ana tjetër, për qëndrimet e saj të ashpra ndaj subjekteve politike kundërshtare. Ky veprim politik për të mos propozuar një kandidat konsensual përputhet me këtë strategji: një figurë që nuk synon kompromise, por që do të përfaqësojë vijën e fortë të partisë në skenën parlamentare dhe do të tentojë të ndikojë në efikasitetin e një qeverie alternative që nuk pritet të jetë e qëndrueshme në numra, as shumë jetëgjatë në kohë. Me pikëpyetje të mëdha, nëse një qeveri e atillë do arrinte të formohej nga subjektet tjera?”

“Pra, VV-ja po përgatitet për zgjedhjet e afërta gjatë këtij viti, apo edhe për zgjedhjet e vitit 2026. E për më tepër, nëse Kosova shkon në zgjedhje të vitit 2026, si rezultat i mungesës së votave për zgjedhjen e presidentit, atëherë Vetëvendosje apo Albulena Haxhiu, nëse mban postin e kryetares së Kuvendit, automatikisht do ta ushtrojë për disa muaj dhe detyrën e presidentes. Në të dy situatat e shkuarjes në zgjedhje, VV-ja po kalkulon se përsëri do jetë subjekti i parë favorit për të fituar . Për atë, nuk po ju ngutet të marrin udhëheqjen e qeverisë, pa një stabilitet në numra e me mandat të ri dhe të qartë, për të vazhduar me legjitimitet të plotë.

“Sepse, diçka është e sigurt nëse shkojmë në zgjedhje, dhe nëse nuk ndryshojnë rezultatet apo do ndryshojnë pak, shumë do ndryshojnë qëndrimet dhe mundësitë e bashkëpunimit mes subjekteve politike”, theksoi Kryeziu, transmeton Klankosova.tv.

Të ngjashme