Ishte viti 2014, finalja e madhe e Kupës së Mbretit në Spanjë mes dy rivalëve të përbetuar Barcelonës dhe Real Madridit. Goli që shënoi ish-futbollisti tanimë i “mbretërve”, Gareth Bale kishte bërë bujë të madhe, gol i cili ende konsiderohet si ndër më të mirët në “El Classico”.
Gareth Bale, futbollisti uellsian me shpejtësinë e tij të jashtëzakonshme iu desh të vraponte edhe jashtë vijave të fushës në një duel me një nga mbrojtësit e Barcelonës atë kohë, në mënyrë që të dilte përball me portierin dhe ta dërgonte topin në rrjetë, shkruan Demokracia.com.
Gol i ngjashëm me të yllit uellsian u realizua edhe në Superligën e Kosovës në futboll, xhiron e pestë kampionale të këtij edicioni.
Almir Kryeziu, futbollisti këmbëshpejt i Dritës ishte realizator i një goli të ngjashëm në fitoren e “bardhekaltërve” 4:0 kundër Llapit.
23-vjeçari pranoi një top afër mesit të fushës në krahun e majtë. Fillimisht në stilin “alla Gareth Bale” kaloi mbrojtësin e Llapit, Bujar Idrizin, duke vrapuar edhe jashtë vijës së fushës për të hyrë më pas në zonën e portierit dhe duke realizuar për 3:0.
Demokracia.com ju sjell videon e krahasimit të golit të Gareth Bale dhe golit të Almir Kryeziut.
Futbollisti nga Xërxa e Rahovecit u transferua te Drita në verën e vitit 2021 nga Arbëria e Dobrajës së Madhe të Lipjanit.
Kryeziu konsiderohet si një nga futbollistët me të ardhme të ndritur në futbollin e Kosovës./Demokracia.com/