Fitorja 6:3 e Manchester Cityt në “Boxing Day” kundër Leicesterit, shfaqi përsëri sesa e vështirë është të luash kundër ideologjisë së Pep Guardiolës, pavarësisht cilësive të kundërshtarit që ke përballë.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayernit ka shijuar suksese të mëdha në të tria klubet dhe ka aplikuar një sistem të ngjashëm që kur e bëri Barçën një prej klubeve më të mira të historisë. Megjithatë, Siti mbetet ndoshta mostra më fantastike e interpretimit të taktikave të tij, ku shumë prej suksesit të tij vjen pa një sulmues të deklaruar.
MBROJTËSIT E PËRMBYSUR – Asnjë trajner tjetër nuk ka përsëritur dot konceptin e mbrojtësve të krahut që ai prezantoi në Premier Ligë kur erdhi në “Etihad”.
Si mbrojtësit e majtë, ashtu edhe të djathtë, shpesh kthehen në mesfushorë kur skuadra është në zotërim të topit, duke i bërë ata shumë të vështirë për t’u markuar dhe bërë konfuzë anësorët kundërshtarë.
Disa prej tyre ndjekin mbrojtësit e krahut në qendër të fushës, duke krijuar hapësira në krahë, ku sulmuesit e krahut të Sitit mund të sulmojnë në situata një kundër një.
Të tjerë qëndrojnë besnikë në rreshtimin e tyre, por kjo i lejon Sitit që të ketë një superioritet numerik në qendër të fushës. Kjo, bashkë me dy mbrojtësit e qendrës dhe mesfushorin shkatërrues, krijon një pikë të trekëndëshit me kulm portierin Ederson, i cili vepron shpesh si mbrojtës i tretë.
MESFUSHA SHTYN PËRPARA – Me mbrojtësit e krahut të spostuar në qendër, mesfusha ka lejen për të avancuar drejt mbrojtjes kundërshtare duke krijuar konfuzion për çdo prapavijë. Mesfushorët jo vetëm avancojnë drejt mbrojtjes, por lëvizin në korridoret pas saj në përpjekje për të çarë rezistencën e tyre.
Është një sistem që aplikon në mënyrë perfekte një nga bazat e futbollit të Pepit, një ide që e gjen edhe librin “Sekretet e Pepit” të Marti Perarnaut në vitin 2014, gjatë kohës që drejtonte Bayernin.
“Idealja është ta kesh qendërmbrojtësin e lirë, anësorin të hyjë në qendër dhe portierin të lirë për t’ia pasuar direkt atij. Nëse pasimi shkon mirë, atëherë ke arritur të kapërcesh të gjithë qendrën e fushës së rivalit.”
“Nëse humbet topin, mbrojtësin e krahut mund të mbulojnë menjëherë hapësirën”, shkruan gazetari spanjoll. “Bëhet fjalë për modifikimin e planeve të presingut të rivalit.”
“Lojtari ynë i krahut futet në qendër dhe tërheq markuesin rival. Nëse ai nuk e ndjek, atëherë ke një lojtar të lirë. Nëse shkon ta markojë mesfushori, atëherë mesfushori yt do të jetë i lirë. Dhe kështu vazhdon gjatë gjithë kohës”, lexohet në librin “Zoti Pep”.
Dhe kjo është pikërisht ajo që zbatojnë në fushë lojtarët e Sitit me mbrojtësit e krahut Canselo dhe Zinchenko, të cilët hyjnë në mesfushë dhe Sterling e Mahrez lirohen në krahë si në foton e mëposhtme. /Demokracia.com