Lajme
Kryetarja e OSHP-së punësoi dajën si shofer personal, deri në 3 vjet burgim mund të dënohet sipas kodit penal
Demokracia
13:08 | 20 Tetor 2023

Share:

“Familjarët e kushërinjtë janë për dasma, jo për punësim në institucione publike”. Kjo ishte një prej fjalive që Albin Kurti e kishte lëshuar në një rast për ta ndezur turmën e mbledhur rreth tij, në një tubim elektoral. Por, njerëzit e pushtetit të tij po punësojnë me të madhe familjarë nëpër institucione publike dhe as që po merren me frazat elektorale të kryeministrit Kurti, shkruan Demokracia.com.

Kur, Vjosa Gradinaj-Mexhuani u zgjodh kryetare e Organit Shqyrtues të Prokurimit në korrik të vitit të kaluar, asaj i ishte shfaqur nevoja që ta kishte edhe një shofer personal, pasi vetura zyrtare po e priste në parking.

Ajo nuk e kishte vrarë fort mendjen për ta gjetur ngasësin e veturës dhe ishte ndalur menjëherë brenda familjes së vet. Vetëm një muaj pasi e mori detyrën zyrtare, si shofer ajo e emëroi dajën e saj, vëllain e nënës, Ali Zeqirin.

“Ali Zeqiri me numër të letërnjoftimit xxxxxxxxx, emërohet shofer i kryetares së OSHP-së, duke filluar nga data 1 gusht 2022. Pagesa mujore bruto e shoferit është 362.50 (koeficienti 6). Në pajtim më dispozitat ligjore në fuqi të Republikës së Kosovës, shoferi i kryetares së OSHP-së, do të ketë statusin e nëpunësit të Kabinetit”, thuhet nder të tjera në aktemërim.

E meqë shoferët kanë koeficient të vogël të pagës (6), Demokracia.com ka mësuar se në ditën e njëjtë të emërimit, kryetarja e OSHP-së kishte nxjerr vendim për kompensimin shtesë në vlerë prej 100 eurove për dajën e saj, shoferin Ali Zeqiri. Vendimi për kompensimin e dajës në vlerë prej 100 eurove ishte nënshkruar nga vetë Gradinaj-Mexhuani.

“Për pagesën shtesë në vlerë prej 100 eurove, nëpunësin e kabinetit, Ali Zeqiri – Shofer i kryetares së OSHP-së”, thuhet ndër të tjera në vendimin e datës 01.08.2022 të nënshkruar nga Vjosa Gradinaj- Mexhuani, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Zeqirit i ishte përpiluar kontratë njëvjetore dhe ai qëndroi si shofer i kryetares së OSHP-së deri para pak muajve.

Demokracia.com nëpërmjet e-mailit e ka pyetur kryetaren e OSHP-së për lidhjen e saj me Zeqirin, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kodi Penal e sanksionon këtë situatë

Implikimi i dajës në këtë rast si shofer personal dhe dhënia e benefiteve shtesë është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Neni 417 flet për ‘konfliktin e interesit’

“Personi zyrtar i cili merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare për të cilën e ka ditur apo është dashur ta dijë se ai apo ajo, ndonjë anëtar i familjes së tij ose të saj, ose ndonjë person juridik që ka të bëjë me të, ka interes financiar, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Për qëllime të këtij neni, shprehja “merr pjesë” nënkupton ushtrimin e autoritetit zyrtar përmes vendimit, miratimit, mosmiratimit, rekomandimit, këshillimit, hetimit, mbikëqyrjes, administrimit, likuidimit, pagesës ose në ndonjë mënyrë tjetër të ushtrimit të ndikimit të padrejtë për një çështje zyrtare”, thuhet në pikën 1 dhe 3 të këtij neni, përcjell Demokracia.com.

Gradinaj-Mexhuani e preferuara e kryeministrit Kurti dhe këshilltarit të tij Luan Dalipi

Pas shumë e shumë zvarritjeve, Kuvendi i Kosovës në fund të qershorit 2022 ka zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve. 61 deputetë të mazhorancës patën votuar pro, deri sa partitë opozitare e kishin lëshuar sallën më herët, pas dështimit të Projektligjit për Trustin. Marrë parasysh ecurinë e përzgjedhjes, shihej se kandidatët janë përzgjedhur në kundërshtim me parimet e konkurrencës.

Kryetare e bordit ishte zgjedhur Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.

“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, kishte thënë Kurti.

Në mesin e emrave që kishte dërguar Qeveria për votim, dy prej të votuarve kanë pasur pikë më së paku e një më së shumti. Kjo në bazë të poentimit të vlerësimit të CV-ve që kishte bërë një komision i përzgjedhur nga Qeveria për selektimin dhe poentimin e kandidatëve që kishin garuar.

Nga gjithsej 22 kandidatë, e votuara nga Kuvendi, Kimete Gashi, ka pasë pikë më së paku, gjithsej 3.2, ndërsa e parafundit ka qenë kryetarja e re e OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, me 3.6 pikë. Ndërkaq, anëtari tjetër i votuar, Vedat Peterqoi, ka qenë i pari në listë, me gjithsej 8.8 pikë.

Dy emra të votuar nuk kanë qenë pjesë e garës për anëtarë të Bordit dhe kryetarë të OSHP-së. Bëhet fjalë për Nita Bejta dhe Agon Ramadani.

Bejta tashmë ka dhënë dorëheqje, ndërsa Kimete Berisha është shkarkuar nga detyra nga ana e Qeverisë së Kosovës. Rasti është në Gjykatën Kushtetutës të Kosovës.

Çka është Organi Shqyrtues i Prokurimit?

Nëse një kompani pretendon se i është bërë e padrejtë në një tender, ajo mund të ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja është institucioni i fundit që ka përgjegjësi për shqyrtimin e tenderëve.

Ky institucion mund të anulojë një tender dhe mund të japë masa ndëshkuese për ata që kanë shkelur procedruat e tenderimit.

Pra, OSHP-ja në bazë të një ankesë të parashtruar me shkrim nga një Operator Ekonomik kundër njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga AK-ja, është autorizuar që ta shqyrtojë kryerjen e aktivitetit përkatës të prokurimit dhe pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë, si dhe konform afateve ligjore të nxjerr një vendim me shkrim për mënyrën e vendosjes së asaj lënde, objekt i të cilës është shqyrtimi, ankesa dhe aktiviteti i prokurimit për të cilin është parashtruar ankesa.

Vendimet që merren nga OSHP-ja janë vendimet mbi shqyrtimin e prokurimeve, mbi masat ndëshkuese, mbi ankesat e refuzuara (të pakompletuara), vendimet për Listën e Zezë dhe vendimet për gjobë. /Demokracia.com/Mentor Buzhala

Të ngjashme