Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ka folur në lidhje me deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar Gjykatën Kushteuese si penguese të reformës në drejtësi.
Për këtë, Caka-Nimani ka thënë se përgjigja për këto deklarata është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk pengon reformën në drejtësi, por kontribuon në përforcimin e shtetit të së drejtës dhe përafrimin e Republikës së Kosovës më standardet të cilat i përcakton Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian anëtarësimin në të cilat Kosova e synon”, ka thënë ajo në një intervistë ekskluzive në “Tempus”.
Kryetarja ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin në lidhje me amendamentin që lidhet me Vettingun në drejtësi dhe i ka hapur rrugë një ndër reformave më të thella në Republikën e Kosovës.
Caka-Nimani, është shprehur se secili duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtuese pasi pushtetet janë të ndara.
“Respektimi i Kushtetutës është detyrë e secilit autoritet publik në Republikën e Kosovës. Konstatimi që bën gjykata në kontekst të një ligji dhe vlerësimi që një ligj i kontestuar para saj, nuk është në përputhje me kushtetutën nuk mund të shërbejë si argument që Gjykata është kundër reformave në drejtësi. Por, duhet të shërbejë si detyrim për reflektim, të dy pushteteve tjera që të sigurohen që ligjet e propozuara ose miratuara janë në përputhje me Kushtetutën”, ka shtuar ajo.