Lajme
Kryetarja e Gjykatës Speciale: S’i ndjekim udhëzimet politike të askujt
Demokracia
13:09 | 06 Dhjetor 2020

Share:

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që njihen si Gjykata Speciale, Ekaterina Trendafilova ka thënë se drejtësia do të garantohet dhe se puna e kësaj gjykate do të flasë vetë.

Ajo tha se Gjykata Speciale funksionon pa ndikimin dhe ndërhyrjen e askujt dhe se gjykatësit janë të pavarur.

“Dhomat e Specializuara funksionojnë pa ndikimin dhe ndërhyrjen e askujt, politike apo ndonjë tjetër. Dhomat e Specializuara (DHSK) dhe gjykatësit janë të pavarur, nuk veprojnë sipas udhëzimeve të askujt dhe drejtohen vetëm nga ligji. Të tre menaxherët dhe të gjithë gjyqtarët. Çdo shkelje e këtij detyrimi, megjithëse nuk besoj se do të ketë, do t’i nënshtrohet mekanizmave disiplinorë përkatës”, tha Trendafilova në një intervistë për mediumin serb “Politika”.

Ajo tha se në Hagë, “ata e bëjnë betimin e tyre shumë seriozisht dhe, si gjykatës, janë të vendosur ta mbrojnë integritetin e procedurave dhe ta ruajnë pavarësinë dhe paanësinë e tyre”.

Trendafilova tha se ka përpjekje për ta minuar legjitimitetin e Gjykatës Speciela, por sipas saj kjo gjykatë do të merret vetëm me mandatin e saj.

“Ka përpjekje për ta minuar legjitimitetin e DHSK-së, por ato nuk janë të reja dhe sigurisht që do të zgjasin sa të ekzistojë kjo gjykatë. Ne nuk do të përfshihemi në ndonjë debat politik, por do të merremi me atë që është mandati i DHSK-së, dhe kjo është që të sigurojmë drejtësi”, shtoi ajo, transmetojnë mediat.

Kryetarja e Speciales shton se publiku, “përfshirë ai serb, do të jenë në gjendje të konkludojnë vetë nëse DHSK-ja e ka përmbushur rolin që i është besuar nga mandati i saj”.

“Unë besoj se puna e DHSK-së, urdhëresat dhe vendimet do të flasin vetë. Në këtë drejtim, DHSK-ja përpiqet të sigurohet që publiku të informohet me saktësi, në kohën e duhur dhe në një mënyrë transparente”, tha Trendafilova.

Të ngjashme