Lajme
Kryetari i Vushtrrisë: Nuk kemi qenë të informuar nga Ministria për shtrenjtimin e tatimit në pronë
Demokracia
17:46 | 25 Janar 2023

Share:

Shtrenjtimi i tatimit në pronë, ka bërë që të ketë reagime të shumta në Kosovë.

Nga Ministria e Financave kanë thënë se komunat kanë qenë në dijeni dhe se shkallën e tatimit e kanë përcaktuar vetë komunat.

Por me një deklarim të tillë, nuk po pajtohen nga Komuna e Vushtrrisë.

Kryetari, Ferit Idrizi në një deklaratë për Front Online tha se për këtë vendim nuk ka qenë në dijeni.

“Sa i përket anës së komunikimit e koordinimit, unë vetëm kur e kam parë këtë vendim që ka ardh. Çdo vendim që vjen prej qeverisë, prej ministrisë që është i ligjshëm ne e zbatojmë, problemi nuk është a e zbatojmë a nuk e zbatojmë, por është se sa e përballojnë qytetarët. Unë personalisht këtë vendim deri sa ka ardh nuk e kam parë”, deklaroi Idrizi.

Idrizi për Front Online se vendimi për shtrenjtimin e tatimit në pronë nuk është mirëpritur nga Vushtrria.

Ai thotë se me këtë vendim, do të thellojë krizën ekonomike të qytetarëve.

“Ministria në kuadër të përgjegjësive të veta, sigurisht e ka vlerësuar të ketë rritje të tatimit në pronë e cila për neve si komunë nuk është e mirëpritur, për shkak të krizës ekonomike, sociale, të varfërisë, mandej e patëm edhe situatën e fundit këtë të vërshimeve në shumë komuna, edhe pse në komunën tonë shumë pak i ka prek, mirëpo megjithatë është një çmim që ka me qenë sfidues për ekonomitë familjare, për bizneset e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Megjithatë, Idrizi thotë se vendimin do ta zbatojnë.

“Ne jemi të obliguar me i zbatu vendimet e ministrisë, është obligim ligjor, por ky vendim i MF-së për neve e vlerësojë se ka qenë i ngutshëm, i hershëm, derisa qytetarët janë në krizë kaq të rëndë ekonomike”, tha Idrizi.

Dje dhe sot dhjetëra qytetarë janë ankuar pasi faturat e tatimit në pronë kanë mbërritur deri në dyfish në krahasim me vlerësimin e vitit të shkuar.

Të ngjashme
Lajme • 01 Qershor 2024