Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka japur disa sqarime ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili, siç pretendon Latifi, hodhi disa akuza ndaj tij. Latifi ka kërkuar nga Peci që ta ndihmojë më tepër komunën e Rahovecit, bujqit e kësaj komune si dhe të rritet bashkëpunimi mes tyre.
Latifi, përmes një postimi në Facebook, tha se Ministri i Bujqësisë po e bojkoton komunën ku bujqësia është prioritet teksa sqaron se disa herë i kanë dërguar Pecit ftesa për ta vizituar komunën e Rahovecit mirëpo përgjigje nga ai nuk kanë marrë.
“Duhet t’ia kujtojmë ministrit Peci, se bujqësia është TOP prioritet në Komunën e Rahovecit. Për këtë gjë, një muaj pasi ka marrë detyrën ministri Peci në Qeverisjen Kurti 2, i kemi drejtuar ftesë zyrtare për ta vizituar Rahovecin. Kërkesa i është përsëritur për katër herë, por përgjigje nuk kemi marrë asnjëherë nga Ministri”, ka shkruar Latifi në Facebook.
I pari i Rahovecit tha se Peci e ka vizituar komunën e tij vetëm në kohë të zgjedhjeve, me ç’rast ky i fundit ka mbajtur takime vetëm me militantë të partisë.
Latifi ka kërkuar që të bëhet më shumë në raport me bujqit si dhe të rritet bashkëpunimi mes Ministrisë dhe Komunës.
“Nëse ministri Peci dëshiron të ndihmojë bujqit e Rahovecit, atëherë zyra e Kryetarit të Komunës është e hapur dhe mirëpret çdo shqetësim apo paqartësi. Ftesa e bërë qysh në prill të vitit 2021 ende është aktuale dhe ministri Peci me bashkëpunëtorët e tij do të mirëpritet.
Bujqit kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete, prandaj arsyetimet dhe etiketimet nuk i shërbejnë kësaj klime të rëndë për bujqit tanë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i kryetarit Latifi: