Lajme
Kryetari i Odës së Farmacistëve: Për shkak të çmimeve të larta të barnave, qytetarët humbin së paku 10 milionë euro në vit
Demokracia
13:55 | 13 Maj 2023
Ilustrim

Share:

Projektligjin që rregullon çmimin e barnave e kanë mirëpritur edhe Oda e Farmacistëve.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi thotë se kjo ka qenë kërkesë e tyre e kahmotshme.

“Ligji për çmimet e barnave është një nga kërkesat e kahmotshme të farmacistëve dhe si të tillë oda e përkrah fuqishëm. Ne shpresojmë që ky ligj sa më parë të aprovohet dhe të fillojë zbatimi i tij”, tha ai.

Me këtë Ligj, sipas Jakupit do të balancohen çmimet si brenda vendit, ashtu edhe në rajon.

“Në bazë të këtij projektligji çmimet e barnave do të harmonizohen së pari me çmimet rajonale (që janë më të ulëta) dhe pastaj edhe me çmimet e barnave në vend nga barnatorja në barnatore apo edhe nga vendi në vend pasi ndryshimet në raste janë signifikante”, tha Jakupi.

Për shkak të çmimeve të larta të barnave në Kosovë, Jakupi thotë se pacientët humbin 10 milionë euro për një vit.

“Sipas një llogarie Kosova përkatësisht pacientët humbin së paku 10 milionë euro në vit nga çmimet më të larta në Kosovë”, u shpreh ai për Front Online.

Me miratim të këtij projektligji në Qeveri, kryeministrt Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë thënë se nëpërmjet këtij ligji, Kosova do të ketë ndër çmimet më të lira të barnave, dhe do të evitohen abuzimet.

Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.

Të ngjashme