Lajme
Kryetari i Leposaviqit, qe 50 orë brenda komunës, i paqasshëm, mediat ia kontaktojnë vëllaun
Demokracia
14:33 | 31 Maj 2023

Share:

Për më shumë se 50 orë, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi nuk ka dalë nga objekti i komunës.

Ai u fut brenda ndërtesës me ndihmën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës mesditën e së hënës dhe që nga atëherë nuk ka lëvizur nga aty.

Hetemi ishte i pa qasshëm për medie gjatë kësaj kohe, por komunikimin me familjen nuk e ka ndërprerë.

I vëllai Driton Hetemi, të cilin e ka kontaktuar Albanian Post, ka treguar se Lulzimi është mirë, ka mundësi të dalë nga komuna por nuk ka dëshirë.

“Ai është mirë. Që kur ka hy në komunë nuk e kemi takuar por kemi biseduar me të përmes telefonit. I kemi shkruar na ka kthyer përgjigje. Mirë është”.

“Kemi për të ngrënë e për të pirë, mirë jemi – më tha, se unë e pyeta a ka nevojë me të sjellë diçka deri te policia së paku. Por nuk deshi, jo tha se edhe nuk ju lënë, por nuk kemi nevojë të gjitha i kemi, dhe siç e kuptova unë ai nuk po do që të dalë”, ka treguar Driton Hetemi, për Albanian Post.

“Tash, ai nuk më tha që ‘nuk po dua të dal’, por sa e kuptova unë. Unë e pyeta – a nuk po mundeni me dalë apo nuk po doni? Më tha – jo mirë është gjendja kemi për të ngrënë e për të pirë, qysh me lëshu tash?”, tregon Hetemi.

“Unë e njoh Leposaviqin, pjesën te komuna e krejt dhe e di që kanë mundësi me dalë por thjeshtë nuk po duan”.

Driton Hetemi tregoi se Lulzimi nuk është i vetëm në komunë, “është edhe dikush aty, edhe policia”.

“Mua mu duk në disponim të mirë, me shëndet është mirë, pastaj ata protestuesit nuk rrinë gjithmonë aty, dhe ai mund të dalë po të dojë, nuk është i bllokuar, por nuk do”, përsëriti Dritoni.

Ai tregoi se familja e ngushtë e Lulzimit janë të shqetësuar paksa për situatën e krijuar këto ditë, por sikur – tashmë- janë mësuar me zhvillime të tilla.

“Lulzimi është i martuar e ka edhe fëmijë. Sigurisht që gruaja e tij shqetësohet, por ne jemi mësuar me kësi situata. E tani veriu kurrë më i sigurt nuk ka qenë”, tregon ai.

Driton Hetemi që aktualisht është i punësuar në Qendrën e Regjistrimit në Komunën e Leposaviqit tregoi për Albanian Post se qytetarët serbë i janë gëzuar ardhjes së Lulzimit në krye të komunës.

“Unë punoj në Qendrën e Regjistrimit në Leposaviq, te letërnjoftimet e pasaportat, qytetarët serbë që vinë aty, po na thonë tash prej kur jeni ardhë ju ne po vijmë shumë më lirshëm për të nxjerrë dokumente, sepse sa kanë qenë serbët më herët ata na kanë spiunuar te Lista Serbe gjithmonë, s’kemi guxuar të nxjerrim as dokumente”.

“Veç ju bëjnë presion prej Serbisë se këta serbët lokalë ishin dorëzuar moti. Edhe nënkryetarja që është serbe aty, situata është pozitive, shumë janë gëzuar që është zgjedhë kryetar Luli”, përfundon Dritoni, vëllai i kryetarit Lulzim Hetemi.

Sot është dita e tretë që kur qytetarë serbë, kanë dalë në rrugë për të bllokuar funksionimin e komunave, në të cilat filluan punën zyrtarisht kryetarët shqiptarë, nga zgjedhjet e 23 prillit.

Në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, protestuesit po kërkojnë largimin e kryetarëve shqiptarë dhe forcat e Njësive Speciale ë Policisë së Kosovës.

Për dallim nga komuna e Leposaviqit dhe Zubin Potokut, në Zveçan protestuesit ishin shumë të dhunshëm. Në përleshje me KFOR-in, ata lënduan 30 pjesëtarë të këtij misioni paqeruajtës në Kosovë, tre prej të cilëve ishin lënduar me armë zjarri.

Për të treguar më pas se NATO do të dislokojë edhe 700 trupa të tjerë në Kosovë, për shkak të situatës së tensionuar në veri.

Vendimi i parë i Lulzim Hetemit si kryetar i Leposaviqit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë periudhë tensioni, është kërkesa e drejtuar në KOSTT dhe tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që ta kyçë në sistem komunën dhe të fillojë pagesa e energjisë elektrike.

Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Hetemi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRrE-së për të kyçur institucionet tona publike komunale në mënyrë që të fillojë pagesa e rregullt e energjisë eklektike. Po ashtu autoritet duhet të na njoftojnë me borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar në mënyrë që t’i shlyejmë ato detyrime”, ka shkruar Hetemi në Facebook.

Rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vazhdojnë të mos paguajnë për energjie elektrike derisa për ta paguan Qeveria e Kosovës.

Të ngjashme