Intervista
Kryetari i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut: Erden Atiq s’merr vendime, ato merren nga nivele më të larta
Demokracia
10:10 | 02 Shtator 2023

Share:

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, në një intervistë për median opozitare serbe “Danas”, ka thënë se Erden Atiq, kryetar i kësaj komune, “nuk merr vendime”, por sipas tij ato “merren nga nivelet më të larta të qeverisjes në mënyrë që situata të jetë gjithmonë një ‘status quo’”.

“Ne si Kuvend distancohemi nga çdo vendim që çon në përshkallëzim të konfliktit”, tha ai, duke shtuar se ka pasur edhe vendime të Kuvendit për lëvizjen e lirë, siç është ai i hapjes së urës mbi lumin Ibër.

“Ne nuk e konsiderojmë një vendim që çon në përshkallëzim, por donim që ura të ishte e lirë dhe e kalueshme, edhe pse shumë e panë si një vendim përshkallëzimi”, shtoi.

Sa i përket zgjedhjeve të reja në Veri, Ugljanin theksoi se Kuvendi Komunal është në pritje të Udhëzimit Administrativ që është duke u hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai pohon se Udhëzim Administrativ do t’u dorëzohet kuvendeve komunale në Veri për nënshkrimin e peticionit në afat prej 30 ditësh dhe “sigurisht që do ta kryejmë detyrën në përputhje me Udhëzimin Administrativ”.

“Dështimi për të marrë pjesë në mbledhjen e peticioneve ose bojkot do të gjenerojë presion nga komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë fund këtij procesi dhe shpalljen e zgjedhjeve në komunat Veriore”.

Duke folur për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, Ugljanin potencoi se institucioni që ai udhëheqë vazhdimimisht ka ritheksuar se dëshirojnë de-eskalim të situatës dhe “ne do të distancohemi nga çdo faktor përshkallëzimi që cenon sigurinë e qytetarëve”.

“Kuvendi mbështet ndërmarrjen e hapave të autoriteteve të Kosovës për de-përshkallëzimin e konfliktit sepse kemi pasur një numër të konsiderueshëm të policëve brenda komunës, por ky numër është reduktuar ndjeshëm dhe konsiderojmë se kjo ka kontribuar në përshkallëzimin”.

Ndryshe, largimi i kryetarëve në katër komunat veriore përmes një peticioni u pa me skepticizëm si nga aktorët vendor edhe nga ndërkombëtarët të cilët kërkojnë që kryetarët të largohen vetiu dhe vullnetarisht.

Instituti Demokratik i Kosovës apo siç njihet ndryshe si KDI theksoi se Udhëzimi Administrativ, i cili po përpilohet nga një grup punues në kuadër të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, për të krijuar shtratin ligjor për përdorimin e të drejtës së peticionit përmes së cilës mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës përveç se është në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave.

KDI gjithashtu vlerësoi se drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.

Udhëzimi Administrativ beson KDI kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20 për qind të votuesve të regjistruar.

Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, beson organizata jo-qeveritare, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kësisoj KDI ka konsideruar se dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kishte kuptuar se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Të ngjashme