Lajme
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë uron Fitër Bajramit: Kemi trashëguar një frymë tolerance dhe harmonie
Demokracia
10:09 | 02 Maj 2022

Share:

Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit.

Programi i Fitër Bajramit filloi që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut në shesh, për të vijuar më pas me këndimin e një pjese nga Kurani Famëlartë, të cilën e përcolli për besimtarët e pranishëm hafizi Besmir Krruta.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu përcolli mesazhe të shumta urimi e solidariteti.

“Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga ky muaj me pastërti dhe ndriçim shpirtëror,” ka thënë Spahiu, sipas një njoftimi të Komunitetit Mysliman në rrjetet sociale.

“Bajramet tona kanë qenë përherë gëzim i përbashkët për mbarë qytetarët, qofshin myslimanë apo jo, andaj ndihmoni nevojtarët, lehtësojuni mundimet të sëmurëve, vizitoni të afërmit. Zoti e begatoftë vendin tonë dhe botën mbarë!” tha ai.

Më tej Kryetari Spahiu u ndal edhe në rrugëtimin e institucionit, rrugëtim ky i cili vitin e ardhshëm kremton 100-vjetorin e tij.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është në prag të përkujtimit të 100-vjetorit të themelimit dhe pavarësisë së tij. Nuk ka qenë i lehtë rrugëtimi i këtij institucioni. Sfidat dhe peripecitë që kanë kaluar kolosët e islamit në Shqipëri, ndër ta paraardhës të mitë si Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sabri Koçi, nuk kanë qenë të lehta”, ka theksuar Spahiu.

“Por ata ia dolën të ruajnë pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni duke u lidhur fort pas burimeve të pastra, Kuranit dhe Sunnetit të profetit (a.s.). Ne kemi trashëguar nga paraardhësit tanë një frymë tolerance, harmonie dhe vetëvendosje. Ky është një amanet! Ne do ta ruajmë fort atë!” u shpreh Kryetari Spahiu.

Programi vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të Nënkryetarit të KMSH-së, z. Taulant Bica, i cili ndau me mijëra besimtarët e pranishëm mesazhe të shumta paqeje dhe solidariteti.

“Lutjet, adhurimet, sakrificat dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë Ramazanit, na forcojnë e na motivojnë ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë e dashurisë për njëri-tjetrin”, tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej u bë falja e namazit të bajramit, ku mijëra besimtarët e mbledhur në shesh i priu Kryetari i Komunitetit, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hutben e Fitër Bajramit e cila u mbajt nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024