Sport
Kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi nderohet nga presidenti Meta me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”
Demokracia
14:52 | 07 Korrik 2022

Share:

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekoruar me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit” presidentin e FC Prishtinës, Remzi Ejupi për meritat e tij në themelimin e ansamblit “Kosova djep lirie”.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Meta tha se Ejupi frymëzoi shumë djem e vajza që lanë jetën e tyre të rehatshme dhe u mobilizuan për të marrë pjesë në UÇK.

“Remzi Ejupi deri në atë kohë kishte mbështetur artin individualisht, por ai e kuptoi rolin që mund të ketë bashkimi i artistëve në mbështetje të luftës për liri”, tha Meta.

Tutje, presidenti i Republikës së Shqipërisë tha se Ejupi i ka shërbyer gjithmonë idesë së formimit të një hapësire ekonomike mbarëshqiptare, ka mbështetur sportin, kombëtaren shqiptare në Francë e shumë aktivitete të tjera.

“Është shembull i përbashkimit, frymëzim për të punuar bashkë gjithmonë”, u shpreh Meta.

Në fund, presidenti shqiptar tha se ka kënaqësinë ta nderojë sot Ejupin dhe ansamblin me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”.

Vetë Ejupi, pasi falënderoi Rifat Jasharin, Ilir Metën, Isa Mustafën dhe të pranishmit e tjerë në ceremoni, tha se është nderim i madh ky çmim për të.

“Është moment i paharruar për familjen time, por uroj të mos jetë më i paharruari”, tha Ejupi.

Ai foli për ekipin e ansamblit që tha se ishte një armë plus kundër pushtuesit serb.

“E ndjej thellë në shpirt këtë urdhër, duke nderuar babain tim dhe kujtimet e tij. I jemi mirënjohës zotit president që na nderoi me urdhrin e flamurit kombëtar”, deklaroi Ejupi.

Në fund, të pranishmit e uruan Ejupin dhe e falënderuan për kontributin e tij ndër vite./Zeri

Të ngjashme