Sport
Kryetari i “Dardanëve” i reagon babait të Andi Zeqirit: Biri juaj na tradhtoi me dokumente
Demokracia
18:13 | 30 Mars 2022

Share:

Kryetari i tifogrupit të Kombëtares së Kosovës “Dardanët”, Lulzim Berisha i ka reaguar ashpër babait të Andi Zeqirit i cili kritikoi ofendimet, vërshëllimat dhe mesazhet thumbuese të tifozerisë kosovare drejtuar djalit të tij në ndeshjen miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës.

Avdi Zeqiri, babai i Andi Zeqirit gjatë një interviste tha se ai është më “patriot” sesa “Dardanët”, ndërkohë që në disa raste u mundua ta arsyetojë vendimin e Andit për të përfaqësuar Zvicrën, në vend të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“A don me të thonë diçka… une jam patriot pak ma shumë se qata që janë aty. S’kam une çka me folë për ta. Arsyeja që nuk e ka zgjedhë Kosovën është se nuk ka mundësi ligjore me u kthy, pasi i ka bë tri lojë me U-21’shat e Zvicrës në Kampionat Evropian”, tha Zeqiri për Nacionale.

Sharjet, vërshëllimat dhe mesazhi thumbues nga “Dardanët”, reagon ashpër babai i Andi Zeqirit

I menjëhershëm ishte reagimi i Berishës i cili e quajti Avdiun “mashtrues të paftyrë”, ndërkohë që shtoi se Andi Zeqiri e “tradhtoi Kosovën me dokumente”.

Reagimi i plotë i Berishës:

REAGIM NDAJ MASHTRUESIT TË PAFYTYRË

Pa fije turpi e cilëson veten patriot. Si mund ta konsiderosh veten të tillë kur ke marrë pasaportën e Republikës së Kosovës për të birin tuaj dhe ke nënshkruar mbi dokument, por në fund dezertove dhe nuk e përmbushe zotimin e dhënë? Si ke fytyrë të krahasosh veten me krerët dhe ushtarët e UÇK-së? Ku e merr këtë të drejtë? Ti e ke mashtruar vendin tënd, ndërsa ne ushtarët e UÇK-së kemi mbrojtur dinjitetin e tokës dardane.

Ne si Dardanë jemi treguar të kujdesshëm që mos t’i fyejmë lojtarët që kanë zgjedhur kombëtare të tjera. Jemi treguar të pjekur, por rasti i birit tuaj përbën përjashtim, sepse ishte mashtrim para syve. Ishte tradhti me dokumente.

Pse nuk e bëmë të njëjtën gjë me Përparim Hetemajn më herët, pastaj me Fatos Beqirajn e deri dje me Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën? Sepse secili nga ta e ka një histori të ndryshme dhe kemi dashur të tregohemi korrektë, pavarësisht bindjeve individuale që mund t’i kemi se si kanë rrjedhur gjërat.

Dallimi është se ju keni përdorur Kosovën në favor të interesave të juaja. E përdoret Kosovën jo si qëllim, por si mjet për të arritur te një shantazh i përshpejtuar, siç ishte ftesa e kombëtares zvicerane.

Ti je i pandershëm të japësh përfundime që je më patriot sesa Dardanët. Si më patriot, kur je deklaruar në një mori emisionesh televizive dhe në takime zyrtare se djali yt do të luajë për Kosovën dhe pastaj ke ikur nga përgjegjësia, duke ndryshuar mendje brenda natës?

Si mund të jesh edhe patriot edhe dezertor? Ti mund të jetosh në një botë tënde paralele ku ndoshta patrioti dhe tradhtari bashkohen në një pikë të caktuar.

Ti je njeriu i fundit në këtë tokë që mund të flasësh për patriotizëm./Demokracia.com/

Të ngjashme