Lajme
Kryetarët në veri kanë thënë se nuk ka kushte për zgjedhje të reja
Demokracia
19:20 | 22 Tetor 2023

Share:

Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut kanë deklaruar se nuk është në planet e tyre dorëheqja nga pozita e të parit të komunave veriore. Një kërkesë e tillë është bërë ditë më parë nga Lista Serbe, por kryetarët shqiptarë thonë se nuk ka interesim as nga serbët lokalë që të marrin pjesë në një proces të ri elektoral.

Shtimin e presionit nga ndërkombëtarët për shtensionimin e situatës në veri, ku ndër kërkesat është edhe mbajtja e zgjedhjeve në katër komuna me shumicë serbe, nuk po e ndiejnë kryetarët aktualë. Ilir Peci, kryetar i Komunës së Zveçanit, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare për ta bërë këtë.“Neve ende nuk na u ka dorëzu diçka zyrtarisht me dhënë dorëheqje, as nga Qeveria e Republikës së Kosovës, as nga ndërkombëtarët. Tash, deri sa nuk na vjen diçka zyrtarisht ne po besoj që është shumë herët me dhënë një mendim të tillë”, ka thënë Peci, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.

Edhe kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se nuk ka kushte për zgjedhje të reja.

“Pa marrë parasysh në çfarëdo varianti të ligjshëm mund të shkojmë, mirëpo për momentin nuk ka kushte për zgjedhje. Unë nuk po e shoh që ka ndonjë interesim edhe ashtu qoftë nga Qeveria, apo edhe nga ne, natyrisht ne jemi duke punuar, që të kemi zgjedhje tani për tani”, është shprehur Zeqiri, po ashtu anëtar i PDK-së.

Zeqiri ka thënë se në rrethanat aktuale zgjedhjet nuk prodhojnë rezultat.

Qeveria e Kosovës, me gjithë presionin për të çuar Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin-Potokun e Zveçanin në zgjedhje të reja, nuk ka ndryshuar qëndrimin përkitazi me rrugën që duhet ndjekur drejt zgjedhjeve të reja në komunat veriore.

Zyrtarë qeveritarë kanë thënë se serbët duhet t’i largojnë kryetarët vetëm përmes peticionit, për të cilin qëllim është miratuar edhe një udhëzim administrativ.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vendimmarrje të shpejtë për zgjedhje të reja, në mënyrë që të shmangen tensionet.

Serbët gjatë dorëheqjeve kolektive në fund të vitit 2022, u tërhoqën edhe nga komunat. Më pas, partitë politike serbe dhe qytetarët serbë i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, ku fituan kandidatët e PDK-së dhe ata të VV-së.

Për shkak të vendosjes së tyre ne objektet kryesore komunale, pati edhe shumë protesta të serbëve, madje edhe të dhunshme. Në atë të 29 majit në Zveçan, protestuesit serbë lënduan rreth 100 ushtarë të KFOR-it. Nga ajo kohë, kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin Potokut ushtrojnë detyrën e tyre nga zyrat alternative nëpër fshatra, derisa ai i Leposaviqit dhe ai i Mitrovicës së Veriut, nga ndërtesat kryesore komunale.

Të ngjashme