Lajme
Kryetarët e 4 komunave të LVV-së i frikësohen Kurtit, tentohet përçarja e AKK-së
Demokracia
15:55 | 20 Janar 2022

Share:

Kryetarët e katër komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në takimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ku u diskutua për Projektligjin për Inspektimin Administrativ. Prej katër kryetarëve të këtij subjekti politi, vetëm kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka dërguar në këtë takim Drejtorin e Financave, por vetë ai nuk ka marrë pjesë. Nuk dihet nëse një gjë e tillë ka ndodhur për shkaqe politike, duke marrë parasysh se kryetarët po e kundërshtojnë fuqishëm këtë nismë të nivelit qendror, më konkretisht të Qeverisë së Kosovës që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Nëse votohet Ligji për Inspektimin Administrativ, shumë zyrtarë politikë do të jenë cak i inspektorëve që do të mund t’u hyjnë në zyrë pa paralajmërim, t’i fotografojnë apo t’i incizojnë, raporton Demokracia.com.

Një projektligj i tillë është diskutuar nga Qeveria Kurti, por ai po konsiderohet si nismë për t’i kontrolluar zyrtarët publikë që punojnë nëpër institucione të ndryshme të shtetit.

Projektligji po kundërshtohet fuqishëm nga kryetarët e komunave, të cilët vlerësojnë se përmes këtij veprimi, Qeveria po i shkel të drejtat themelore të njeriut.

Pak ditë më parë, AKK mbajti një takim ku u diskutua pikërisht kjo çështje e ku kërkuan që të ndërpritet procedimi i mëtejmë i Projektligjit për Inspektimin Administrativ.

Por, në këtë takim është vërejtur se askush nga kryetarët e komunave ku udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje, partia që e drejton pushtetin qendror, nuk mori pjesë.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com edhe nga kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, i cili shtoi se vetëm Shpejtim Bulliqi e ka dërguar si pjesëmarrës Drejtorin e Financave.

“Kryetari i Podujevës e ka deleguar Drejtorin e Financave, kryetari i Gjilanit duket se e ka pasur një takim të jashtëzakonshëm, ndërsa dy të tjerët nuk kanë ardhur. Po besoj që arsyeja është pasi ftesën ua kemi dërguar të hënën, për të martën. Niveli qendror po tenton t’i përçajë kryetarët e komunave, por nuk dua të besoj që kjo ka qenë arsyeja se pse këta kryetarë nuk kanë ardhur në takim”, ka thënë Ibrahimi për Demokracia.com.

Katër komunave që udhëhiqen nga LVV-ja, përkatësisht Podujevës, Gjilanit, Kamenicës e Shtimes, Demokracia.com u ka dërguar edhe pyetje rreth këtij projektligji, i cili është pikërisht nismë e Albin Kurtit, megjithatë deri në momentin e publikimit të tekstit, nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Deri më tani nuk dihet se cili është qëndrimi i Shpejtim Bulliqit, Alban Hysenit, Kadri Rahimajt e Qemajl Aliut për këtë nismë të shefit të tyre partiak.

Përmes këtij projektligji, inspektorëve u lejohet që të kenë qasje në pajisjet elektronike të këtyre zyrtarëve, t’i fotografojnë dhe t’u bëjnë video-incizime.

Idenë për këtë, kryeministri Kurti e ka kopjuar nga shteti i Sllovenisë, por me disa ndryshime.

Shqetësuese rreth këtij projektligji është se inspektorati në këtë rast mund të vendosë edhe për largimin nga puna të zyrtarit që inspektohet.

Kjo tregohet edhe në pikat 2 dhe 3 të nenit 37 të këtij projektligji, ku qartë thuhet se inspektori mund të ndërpresë punën e subjektit apo zyrtarit që inspektohet, raporton Demokracia.com.

“2. Inspektori mund të ndërpres punën e subjektit të inspektuar apo të zyrtarit përgjegjës në subjektin e inspektuar që ushtron veprimtari në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

3. Ministri përgjegjës për administratë publike me akt nënligjor përcakton procedurën për ndërprerjen e punës dhe aktiviteteve të subjektit të inspektuar”, thuhet në këto pika.

Sa u përket gjobave, inspektorati mund t’i shqiptojë ato për shkelje administrative deri në 700 euro. Kjo tregohet në pikat 2.1, 2.2 dhe 2.3 të nenit 46.

“2. Gjobat për shkeljet e kryera që përcaktohen në paragrafin 1 të këtij neni janë si vijon:

2.1. Pesëqind (500) euro për zyrtarin e inspektuar;

2.2. Tre mijë (3000) euro për subjektin e inspektuar;

2.3 Shtatëqind (700) euro për zyrtarin kryesor administrativ të subjektit të inspektuar”, thuhet në disa prej pikave të këtij projektligji./Demokracia.com/

 

Të ngjashme