Intervista
Kryesindikalisti mesazh kryeministrit Kurti: Në sindikata ka kush pyetet, ti kryeji punët tua
Demokracia
15:13 | 05 Prill 2022

Share:

Të premten, më 8 prill, punëtorët e Kosovës do të protestojnë për Ligjin e Pagave. Pjesë e kësaj proteste do të jetë edhe Sindikata e Bashkuara e Arsimit dhe Kulturës. Por, veç protestës, në rast të mosplotësimit të kërkesave, mësimdhënësit e Kosovës që nga data 20 prill kanë paralajmëruar edhe grevë.

Në një intervistë për Demokracia.com, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për kërkesat e mësimdhënësve, refuzimin e Qeverisë Kurti për të dialoguar me ta dhe për përgatitjet për grevë.

Jasharaj ka treguar se që nga marrja e detyrës, kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të takohet asnjëherë me përfaqësuesit e mësimdhënësve.

Ai në këtë intervistë për Demokracia.com ka folur edhe për sjelljen e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij karshi kërkesave të mësimdhënësve kosovarë, duke treguar sesi janë trajtuar sindikalistët nga Qeveritë e kaluara dhe si po injorohen nga Qeveria aktuale.

Pas marrjes së mandatit të tretë, Jasharaj e ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se drejtuesit e sindikatave në Kosovë duhet të ndërrohen.

Si kurrë më parë, Jasharaj ka treguar edhe për fyerjet dhe përqeshjet që ia bëjnë atij aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Demokracia.com: Sindikata e Arsimit të shtunën ka mbajtur një Kongres, ku ju për të tretën herë jeni rikonfirmuar si drejtues i kësaj sindikate. Menjëherë pasi u rizgjodhët në krye të sindikatës keni paralajmëruar se më datën 8 prill do të protestohet dhe nëse nuk plotësohen kërkesat tuaja nga ana e Qeverisë, keni thënë se më datën 20 prill do të hyni në grevë. Cilat janë kërkesat kryesore të sindikatës dhe a ka gatishmëri nga mësimdhënësit për t’iu bashkuar protestës e grevës?

Jasharaj: Të gjitha kërkesat e anëtarësisë u thanë dhe u panë në Kongresin e SBASHK-ut. Kongres që bëri, që përfaqësuesit e tërë sektorit të arsimit, që nga çerdhet në universitet, por edhe kolegët nga institucionet e kulturës, të jenë bashkë të diskutojnë. Javën e kaluar edhe ministres Nagavci ia kam shprehur frikën, se bazuar në komunikimin e vazhdueshëm me anëtarësinë, bazuar edhe në takimet që i kemi pasur, shqetësimi më madh i anëtarësisë ishte Ligji i Pagave, për fatin e të cilit ende nuk kemi informacione. Anëtarësia na kishin bërë me dije që çdo gjë mund ta bëjmë me dialog, por kongresi duhet t’i japë përgjigje situatës, në kongres sollëm një rezolutë që u votua dhe thotë nëse kështu vazhdohet me mungesë të dialogut, sepse Qeveria Kurti dallon nga të tjerat. Unë tani e tetë vite kam pasur takime me të gjithë kryeministrat.

Demokracia.com: Cili është dallimi mes Kurtit dhe kryeministrave paraprak. Si e kanë trajtuar ata sindikatën dhe kërkesat e mësimdhënësve dhe si po e trajton kryeministri Kurti?

Jasharaj: E kam thënë edhe në takimet me anëtarësinë, sepse anëtarësia jonë janë votues të partive të ndryshme dhe kjo është e drejtë e tyre. Ne i respektojmë dhe i lavdërojmë me arsye kryeministrat që kanë bërë diçka në shërbim të arsimit. Me kryeministrin Thaçi kemi kaluar mirë dhe çdo kërkesë e arsimit, ka qenë edhe kërkesë e tij dhe e opinionit në Republikën e Kosovës. E di që ai ishte në gjendje që të prishej edhe me FMN-në dhe është njeriu, i cili nga një ndihmë sociale që konsiderohej paga e mësuesit, ai e bëri një pagë më dinjitoze dhe tërë sistemi ia dinë për nder këtë. Madje, edhe me kryeministrin Mustafa kemi pasur përplasje, por dera e tij ishte e hapur për dialog dhe ai ndihej keq kur ne i paralajmëronim grevat dhe ai bënte çmos përbrenda mundësive buxhetore për të realizuar së paku ndonjërën prej kërkesave tona. Me Haradinajn kemi pritur se do të kishim telashe më shumë, por me të kemi pasur 6 takime. Sa herë kemi dërguar letër për takim, jemi takuar, jemi kundërshtuar. Madje, për te personeli arsimor mbetet emër i respektuar për arsye të Ligjit për Punëtorët e Arsimit të viteve 90’ta. E çmojmë shumë kontributin e tij.

Me kryeministrin Hoti shihej një gatishmëri dhe ai bëri që kërkesën tonë për 100 euro e aprovoi, por u ndërrua. Tani e një vit, edhe po të dua ta lavdëroj Qeverinë Kurti, nuk mund të gjej asnjë fjali për ta lavdëruar diçka, sepse për një vit nuk kemi pasur asnjë takim. I kemi dërguar letër që të takohemi, të ia bëjmë për hair detyrën dhe ta informojmë nga këndi ynë sesi e shohim arsimin, asnjë takim. Le kjo, por sigurisht kjo është bartur te ministrat e tjerë.

Më së shumti jemi hidhëruar me ministrin Hekuran Murati. S’kemi faj që ia kanë bërë dy ministri bashkë. Ai përveç që është ministër i Financave dhe Transfereve, është edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me Kushtetutë e ligj e ka obligim që të takohet me sindikatat, së paku për t’ua dëgjuar vuajtjet dhe zërin. Asnjëherë, ky njeri që është ministër, as pas pesë shkresave, as pas pesë ftesave nuk u takuan me ne asnjëherë. Ministri Sveçla mezi u takua me ne më 30 nëntor, duke na dhënë premtime se Ligji i Pagave është duke u punuar, duke na dhënë premtime se marsi do të jetë muaji kur versioni i parë do të debatohet me sindikatat. Marsi iku, kjo nuk ndodhi, prandaj kongresi unanimisht solli një rezolutë obligative që e obligon kryetarin dhe organet e tjera të sindikatës që t’i bashkohemi BSPK-së në protestën e 8 prillit. Kjo protestë do të jetë alarmi i fundit. Ne nuk do të bëjmë më protesta, por pas 20 prillit, siç thotë edhe vendimi i Kongresit, unë dhe kryesia jemi të autorizuar të fillojmë me veprime sindikale edhe më të rënda që është greva.

 Demokracia.com: Sa kërkesa ia keni drejtuar kryeministrit për takim dhe sa herë jeni takuar?

Jasharaj: Kryeministrit i kemi dërguar vazhdimisht kërkesa, mund të jenë tri ose katër dhe pastaj e kemi lënë. Asnjëherë.

Demokracia.com: Ministrja e Arsimimit, Arbërie Nagavci, sot ka thënë se nuk është koha për greva. Si e komentoni këtë deklaratë?

Jasharaj: Zonja Nagavci që nga java e kaluar e dinë se do të ketë protestë, por e dinë se do të ketë edhe grevë. Madje, i kam thënë, ju lus që të bëni veprime pozitive dhe na e sillni në kongres, përndryshe ne do të hyjmë në grevë dhe nga greva nuk dalim pa u plotësuar kërkesat. Orët e humbura dhe ditët e humbura në grevë nuk do të kompensohen. Sepse, po të zëvendësoheshin, Qeveria do të tallej me ne dhe do të na linte një muaj në grevë. Pastaj, do të na obligonte t’i zëvendësojmë orët e humbura. Le ta dinë opinioni se i vetmi fajtor, nëse ndodhin grevat, është Qeveria Kurti. Sepse, po i ikë dialogut, kërkesat tona janë të minimale. Gjersa nuk bëhet ligji, sepse kemi bindjen se ligji mund të vonohet për arsyet se z. Sveçla, se mos po lëshohen gabimet e njëjta dhe dikush e dërgon këtë dreq ligji në Kushtetuese dhe ajo e kthen dhe i humbin edhe 2-3. Ne po e presim edhe një kohë. Mos ta bëjmë ligjin me mendjen e tyre, pa e dëgjuar edhe palën tjetër. I kemi thënë edhe zonjës Nagavci, i kemi dërguar letra kryeministrit dhe ministrit Murati dhe iu kemi thënë se deri në momentin që ju e bëni ligjin për të mos ju ngutur, ndihmojeni sektorin e arsimit me 100 euro mbi pagë me arsyen e fuqishme, sepse kemi ngritje marramendëse të çmimeve të artikujve elementarë. Ajo paga që dikujt po i duket e lartë, në arsim e ka humbur fuqinë blerëse.

 Demokracia.com: z. Jasharaj ju thatë se nuk jeni takuar asnjëherë me z. Kurti. Nga distanca shpesh jeni gjuajtur me fjalë. Ai në një paraqitje të tij ka thënë se edhe drejtuesit e sindikatave duhet të ndërrohen. A ndjeheni në njëfarë mënyre sikur e keni mundur?

Jasharaj: Po, unë konsideroj që të gjithë ata që kanë qenë kundër, kanë qenë pa arsye, sepse nuk është çështje e Kurtit të përzihet në çështjet sindikale. Kjo është sikur unë t’i kisha çu letër Kurtit dhe t’i kisha thënë se nga 10 ministrat tu, pesë nuk bën m’i zgjedh, sepse mua po më duket ashtu. Kurti ka punë mjaft për të bërë për Kosovën, le t’i bëjë punët e tij ashtu siç duhet, sepse në sindikata ka kush pyetet. Në Kosovë ndjehem nga njerëzit më krenar pse jam kryetar i SBASHK-ut.

Demokracia.com: Je njeriu që i ke bërë telashe çdo qeverie në Kosovë. Si ndjehesh për këtë?

Jasharaj: Të ju them të vërtetën, sa kohë do ta kem mbështetjen e anëtarësisë, do të jem ai Rrahmani që më njohin. Nëse vendoset për grevë edhe nëse më shajnë, ashtu siç më shanë krejt Kosova, unë do të jem në krye të aktivitetit.

Demokracia.com:  A ke ndonjë mesazh për kryeministrin Kurti?

Jasharaj: Po. Kryeministrin Kurti e kisha këshilluar që të dëgjojë këshillat që i kanë ardh nga Brukseli, nga Unioni i Sindikatave të Evropës, sepse ata janë tepër të shqetësuar pse një kryeministër nga i cili kanë pritur një qasje ndryshe.. e lus kryeministrin që t’i kryejë punët e tij. E lus kryeministrin që ta hap derën e dialogut, edhe ai, edhe te ministritë gjegjëse, ngase unë nuk jam Rrahman Jashari. Nëse kryeministrit Kurti do t’i shkoja ndonjëherë për çështje personale, do të prisja me ditë. Nuk shkoj kurrë dhe se kam ndërmend. Unë e përcjell zërin e mësimdhënësve, sepse edhe kryeministri Kurti, edhe Nagavci, janë të obliguar që ta dëgjojnë këtë zë, sepse janë mësuesit e tyre, janë mësuesit e fëmijëve të tyre, të mirë e të këqij, këta janë mësuesit tanë që bëjnë të pamundurën. Deri kur do të bëjmë beteja e gara me shtetet e forta, na me shkumës e shpuzë e ata me llaptop e projektorë…

Demokracia.com: Thatë se kryeministri Kurti nuk ka pranuar të ju takojë asnjëherë. Por, në vizitën e javës së kaluar që e pati në Norvegji, ai u takua me sindikalistët atje. Si e komentoni këtë?

Jasharaj: Ka qenë ndonjë moment i tillë për ta bindur dikë se ai i do sindikatat dhe nëse e ka pasur mesazhin e gabuar, se ja ato sindikata janë më të mira, le ta heq nga koka.

Demokracia.com: I përmende fyerjet që u bëhen shpesh nëpër rrjete sociale. Si ndjeheni nga këto komente?

Jasharaj: Kam pasur përplasje me shumë kryeministra dhe votuesit e atij kryeministri janë ndjerë keq, por kanë qenë shumë më të kujdesshme. Por, nuk kam pasur fyerje të tilla. Me ardhjen e Qeverisë Kurti, komentet në Facebook kanë filluar të jenë të tmerrshme. Nuk jam lënduar shumë kur kanë bërë fyerje për pamjen time. Një kohë janë marrë me dhëmbët e mi. Unë kam pasur telashe dhe tash i mbaj më shumë për inat të tyre. Unë ndjehem krenar. Kur fyhem unë, fyhet e tërë anëtarësia. Ia lë në fytyrë, por Facebook-un e kam mbyllur për shkak të familjes. Unë nuk do tërhiqem. Çfarëdo le të bëjnë tash e tutje, unë do të qëndroj në këtë pozitë. Fyesve ia lë në fytyrën e tyre, FB nuk kam më, le të shajnë. Fjalori i një mësuesi nuk guxon të bie në nivelin e atyre që shajnë në Facebook.

Demokracia.com: Kur do të vijë dita që mos ta shohim çdo javë Rrahman Jasharajn më kërcënime për greva?

Jasharaj: Dita do të vijë, në ditën që kryeministri Kurti ose ndonjë kryeministër tjetër do të jetë korrekt me ne. Nuk do të jemi në media me lajme të këqija kur Qeveria Kurti do ta ndryshojë qasjen.

Demokracia.com:  A e sheh veten si opozitari më i madh në Kosovë?

Jasharaj: Ndoshta e shoh si më i zëshmi sindikalist. Jo, sepse jam unë Rrahmani, por këtë fuqi ma jep anëtarësia, sepse jemi sindikata më e madhe. I bëj apel z. Kurti t’i lë inatet, teket. Të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje, sepse nëse ka greva, ai do të jetë fajtori. /Demokracia.com/

Të ngjashme