Sport
Kryesia probleme me tifozët, FC Ferizaj del me komunikatë para ndeshjes me Prishtinën
Demokracia
12:40 | 19 Gusht 2022

Share:

Ferizaj pas dy viteve është rikthyer në elitën e futbollit kosovar aty ku po pret rezultate të mira dhe të vazhdojë të jetë pjesë e Superligës edhe në të ardhmen.

Sigurisht që për të arritur këtë skuadrës i duhet ndihmë edhe të tifozëve. Mirëpo, që në start ka lindur një problem. Tifozët “Ujqit”, kanë paralajmëruar bojkotim të ndeshjes së të dielës ku Ferizaj e pret FC Prishtinën, shkruan Demokracia.com.

“Ujqit” nuk do të jetë në stadium pasi sipas tyre kanë një mosmarrëveshje me kryesinë. Nda këtij lajmi kanë reaguar drejtuesit e klubit duke kërkuar mbështetjen e tifozëve dhe kanë mohuar çdo mosmarrëveshje me tifozët.

Komunikatë për media:

Kryesia e FC Ferizajt shprehet e shqetësuar në lidhje me një postim të grupit të tifozëve “UJQIT“, ku përmendet një mosmarrëveshje inekzistente dhe bëhet i ditur bojkotimi i ndeshjes ndaj Prishtinës.

Ne si kryesi, ashtu si çdo herë tjetër, dëshirojmë ta informojmë opinionin ferizajas, se nuk bëhet fjalë për mosmarrëveshje, e  aq më pak kur ka javë që nuk kemi zhvilluar asnjë takim, qoftë edhe formal, me tifozët tonë “UJQIT“.

Prandaj duke shpresuar dhe besuar në frymën e bashkëpunimit, ftojmë secilin tifozë të FC Ferizajt, që të dielën e 21 Gushtit, të mbushim shkallët e stadiumit për të përkrahur ekipën e zemrës.

Vetëm duke rrugëtuar së bashku ne do të arrijmë objektivat tona.

Bëhuni lojtari i 12 në fushë!. /Demokracia.com

Të ngjashme