Në prag të zgjedhjeve, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ndërmarrjen Trepça Sh.A., ndërsa kjo e fundit publikoi një komunikatë të mbushur me lavde dhe tone ekzaltuese ndaj tij, shkruan Demokracia.com.
Në komunikatën e shpërndarë nga menaxhmenti i Trepça Sh.A., theksohet:
“Vizita e Kryeministrit është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për mbështetjen e sektorit të minierave dhe zhvillimin industrial të vendit. Vlerësojmë lartë interesimin e Kryeministrit për sfidat dhe mundësitë e Trepçës, si dhe angazhimin e tij për një të ardhme të ndritur për këtë pasuri kombëtare”.
Postimi i lavdërues është nënshkruar në fund nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Faton Ahmeti.
Pavarësisht gjuhës së përdorur në komunikatë, faktet tregojnë se gjatë mandatit aktual, nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për rimëkëmbjen e Trepçës, një ndërmarrje që prej vitesh përballet me sfida të rënda financiare dhe operative. Që nga transformimi i saj në Shoqëri Aksionare më 1 mars 2019, me kapital fillestar prej vetëm 10,000 eurosh, Trepça ka mbetur më shumë simbolikë se sa një shtyllë funksionale e ekonomisë së vendit.
Vizitat e kryeministrave në ndërmarrje shtetërore, veçanërisht në periudhë zgjedhore, shpeshherë përdoren për të krijuar përshtypjen e përkushtimit qeveritar, por rezultatet konkrete për qytetarët dhe vetë ndërmarrjet mbeten të kufizuara.
Në këtë kontekst, komunikata e menaxhmentit të Trepçës duket më shumë si pjesë e një strategjie propaganduese sesa një reflektim real i mbështetjes apo përparimit.
Bazuar në fotografitë e publikuara, duket se aty ka folur edhe Kurti, i cili me gjasë përsëri ka bërë ndonjë premtim, ashtu si herën e kaluar, por që nuk e kishte mbajtur atë premtim.
Performancë më të dobët gjatë vitit 2023 ka pasur ndërmarrja Trepça, me rreth 5.4 milionë euro humbje, ndonëse ndërmarrja kishte përfituar rreth 8.4 milionë euro si subvencione nga Qeveria e Kosovës në po atë vit. Ndërsa, nw vitin 2023 , ndërmarrja ka pasur humbje prej 5.4 milionë euro. Në vitin 2022, ajo ka pasur një bilanc pozitiv me vlerë prej 114,970 euro, shkruan Demokracia.com
Ndërmarrja ka pësuar rënie përkundër ndërrimit të shpeshtë të menaxhmentit që po ndodh aty, sidomos të bordeve drejtuese, ku gjatë ditës së djeshme rezultoi me dy persona të afërt me qeverinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para se të vinte në pushtet ishte zotuar se do të siguronte një model të ri të qeverisjes së resurseve minerare, duke premtuar kështu ringritjen dhe avancimin e tyre. Ai kishte premtuar edhe futjen e teknologjisë së re për ta zhvilluar metalurgjinë, por një gjë e tillë ende s’ka ndodhur. Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” po vazhdojnë të hasin në probleme të njëjta, duke pasur vonesa me marrjen e pagave me kohë e me kushte të vështira të punës.
Kurti sa ishte në opozitë kritikonte fort partitë e tjera që, sipas tij, kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” pas dore.
Gjatë një vizite në fund të muajit janar në vitin 2021, Kurti thoshte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim.
“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq, por edhe kur s’bën diçka mirë dhe e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…”, deklaronte Albin Kurti.
Disa muaj pasi erdhi në krye të Qeverisë, Kurti kishte premtuar investime të mëdha në ndërmarrjen që dikur kishte nam jo vetëm në Kosovë.
“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në “Trepçë” për vitet 2022 dhe 2023. Me projektin tonë, për Fondin Sovran e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik “Trepçën””, thoshte Kurti më 20 tetor 2021, përcjell Demokracia.com.
Por, investimet e premtuara për “Trepçën” nuk u bënë realitet ende. Deri më tani, Qeveria që Albin Kurti drejton nuk ka ndarë më shumë se 15 milionë euro për ndërmarrjen publike. Shumica e parave të ndara kanë shkuar për paga.
Në muajin shkurt 2023, ministrja Artane Rizvanolli njoftoi se ekzekutivi qendror mori vendim për një kredi për “Trepçën” në shumë prej 20 milionë euro.
Por, as kjo kredi, deri më tani nuk është realizuar.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se Qeveria nuk do ta lërë keq ndërmarrjen, duke premtuar se procedura për kredi ndaj “Trepçës” është drejt finalizimit.
“Është në prag të finalizimit, paret e shtetit shkojnë përmes Ministrisë së Financave, është një përkushtim politik edhe i Qeverisë sonë, edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do ta lëmë “Trepçën” keq, por duhet me u siguru që paratë shkojnë aty ku duhet”, ka thënë Mjeku.
Trepça në vazhdimësi, që disa vite, është përballur me mungesë të investimeve nga shteti. Makineritë e vjetruara kanë ndikuar që prodhimi në ndërmarrje të bie për rreth 50 për qind. /Demokracia.com/