Lajme
Kryeshefi i KRU “Gjakova” që ishte arrestuar në Bullgari, nuk i ndahet Vetëvendosjes nëpër tubimet e saj
Demokracia
16:01 | 09 Janar 2025

Share:

Kryeshefi i Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Gjakova”, Hasan Krasniqi, nuk po shkëputet nga Vetëvendosje, anipse dikur ishte pjesë e saj edhe në dokumente. Tash, nën petkun e kryeshefit të ndërmarrjes publike, ai vazhdon të marrë pjesë në tubimet përgatitore të Vetëvendosjes për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, shkruan Demokracia.com.

Më 5 janar 2025, në një tubim me pak pjesëmarrës, Vetëvendosje në Gjakovë nuk arriti të bëjë shumë jehonë. E quajtur “nga zotimet tek progresi”, kryeministri Albin Kurti para atyre që ishin të pranishëm foli për situatën e vendit kur kishte ardhur në qeverisje, duke e cilësuar atë “në gjendje të rëndë”.

Në fotografinë e publikuar nga partia në pushtet, në një qoshe të saj shihet edhe kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili dikur ishte pjesë e VV-së, por që duket se ende nuk ka hequr dorë nga partia.

Hasan Krasniqi, kryeshef i KRU “Gjakova”, ishte arrestuar në Bullgari, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane, për dyshimet për trafikim me qenie njerëzore. Dyshohej se Krasniqi, që ka një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, ka përdorur këtë kompani për kontrabandimin e njerëzve me dokumente të falsifikuara.

Sipas Gjykatës, ai është akuzuar për tri vepra penale: lehtësimi i migrimit të jashtëligjshëm me bashkëpunim, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat.

“Duke pasur parasysh mungesën e vendbanimit dhe lidhjet e përhershme me Republikën e Bullgarisë, gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së tij. Gjykata, për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës aktuale të ekstradimit, për të kufizuar lëvizjen e tij, vlerësoi se duhet të marrë masën e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës për dorëzimin e të kërkuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut Kryustendil.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se Hasan Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i KRU “Gjakova”, ishte arrestuar në Bullgari më 19 shkurt 2024, pasi “supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”.

Në prill të vitit të kaluar, Bordi i Drejtorëve të KRU “Gjakova” mori vendim për shfuqizimin e vendimit mbi pezullimin e marrëdhënies së punës së kryeshefit Hasan Krasniqi. Vendimi erdhi pas arrestimit të tij nga autoritetet bullgare në shkurt të këtij viti. Në një komunikatë për media, Bordi njoftoi se vendimi ishte marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur më 6 prill 2024, dhe Krasniqi u obligua të paraqitej në punë më 8 prill 2024.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë në vitin 2023 ngriti aktakuzë ndaj Hasan Krasniqit, kryeshef i KRU “Gjakova”, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Krasniqi mund të përballet me drejtësinë kosovare shumë shpejt për një tjetër rast, si drejtues i KRU “Gjakova”. Kjo pasi, pas publikimit të një hulumtimi nga Kallxo.com, i cili zbuloi se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka blerë një barkë/anije të vogël në vlerë 24,500 euro, e cila nuk arriti të përdorej pasi u sekuestrua nga Dogana dhe Policia e Kosovës, rasti do të trajtohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, konfirmoi se rasti fillimisht ishte dërguar në Gjakovë. “Ju njoftoj se lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjakovë, pas pranimit të informacionit të paraqitur nga ju, më datë 28.10.2024 e ka përcjellë këtë rast si njoftim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa Prokuroria Speciale, më datë 15.11.2024 ka nxjerr vendim me të cilin e ka aprovuar transferin e këtij rasti nga Prokuroria Themelore në Gjakovë tek Prokuroria Speciale,” thuhet në përgjigjen e para dy muajve të Kelmendit për Kallxo.com.

Hulumtimi tregoi se barka ishte blerë nga KRU “Gjakova” prej një kompanie që ishte regjistruar rreth një muaj para se të fitonte tenderin. Më 09.07.2024, KRU “Gjakova” kishte hapur tender për blerjen e barkës që do të shfrytëzohej për monitorim, kontrollim dhe mirëmbajtje të liqenit të Radoniqit. 14 ditë më vonë, më 23.07.2024, kompania “Lind Fix” u regjistrua në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndërsa më 16.08.2024, KRU “Gjakova” nënshkroi kontratën në vlerë 25,400 euro me kompaninë “Lind Fix” për blerjen e barkës.

Për këtë barkë që u ble nga KRU “Gjakova” u konstatua se nuk ishin ndjekur procedurat e doganimit. Kjo më pas hapi rrugë për hetim dhe barka u sekuestrua nga Policia dhe Dogana e Kosovës. Që nga 17.10.2024, barka ndodhet në Doganën e Kosovës.

Hasan Krasniqi, tre muaj pas dështimit të tij si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës, i cili nuk arriti të marrë mjaftueshëm vota, u emërua në janar të vitit 2022 si kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”./Demokracia.com/

Të ngjashme