Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve që kanë tepruar nga viti 2024 dhe përfshirjen e tyre në buxhetin e vitit 2025. Mbledhja pritet të mbahet në orën 11:00 këtë të mërkurë, shkruan Demokracia.com.
Kuvendi i Kryeqytetit pritet të mblidhet sot për të shqyrtuar dhe miratuar një vendim të rëndësishëm financiar që parasheh bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga viti 2024 në vitin 2025. Sipas draft-vendimit të propozuar nga Kryetari i Komunës, bëhet fjalë për gjithsej 28,645,606.06 euro, të cilat do të ridestinohen për mallra, shërbime dhe investime kapitale.
Sipas dokumentit të siguruar nga Demokracia.com, nga kjo shumë, 2,739,305.06 euro do të orientohen në kategorinë “Mallra dhe shërbime”, ndërsa 25,906,301.00 euro në kategorinë “Investime kapitale”.
Detajet e shpërndarjes së buxhetit
Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, shuma prej 2.7 milionë eurove do të ndahet në këto nënprograme:
- Infrastruktura publike – Prishtinë (18166): 1,859,305.06 €
- Shërbimet e shëndetësisë primare (73350): 180,000.00 €
- Arsimi parashkollor (92310): 700,000.00 €
Ndërkohë, investimet kapitale do të shpërndahen në këto fusha dhe programe:
- Administrata (16306): 898,155.15 €
- Shërbimet publike (18039): 891,767.00 €
- Investimet kapitale dhe menaxhimi i kontratave (18040): 17,554,330.85 €
- Infrastruktura publike (18166): 520,000.00 €
- Menaxhimi i katastrofave natyrore (18450): 84,966.00 €
- Bujqësia (47006): 500,000.00 €
- Shërbimet e shëndetësisë primare (73350): 219,918.00 €
- Shërbimet sociale (75526): 580,000.00 €
- Shërbimet kulturore (85006): 2,009,328.00 €
- Sporti dhe rekreacioni (85086): 476,992.00 €
- Arsimi parashkollor (92310): 189,474.98 €
- Arsimi fillor dhe i mesëm i ulët (93150): 1,492,560.18 €
- Arsimi i mesëm i lartë (94350): 488,898.84 €
Arsyetimi i bartjes së buxhetit
Në dokumentin zyrtar thuhet se kjo bartje bëhet në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjin për Buxhetin, që lejojnë organizatat buxhetore të bartin bilancet për realizimin e projekteve kapitale dhe obligimeve kontraktuale.
Kategoria e mallrave dhe shërbimeve përfshin edhe 880 mijë euro të dedikuara për arsim dhe shëndetësi, në përputhje me ndarjet e autorizuara të të hyrave vetanake. Ndërsa 1.8 milionë eurot tjera do të përdoren kryesisht për mirëmbajtje të infrastrukturës publike, pastrim rrugësh, ndriçim publik dhe mbulimin e shpenzimeve nga përmbarimi, të cilat janë të lidhura me kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
Sa i përket investimeve kapitale, dokumenti saktëson se bëhet fjalë për obligime të mbetura nga kontrata ekzistuese dhe projekte aktive.
Vendimi do të hyjë në fuqi 30 ditë pas regjistrimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe 7 ditë pas publikimit në ueb-faqen zyrtare të Komunës.
Bartja e buxhetit është një procedurë ligjore që i lejon komunave që mjetet e pashpenzuara gjatë një viti buxhetor në këtë rast nga viti 2024 t’i kalojnë për shfrytëzim në vitin pasues, përkatësisht në 2025. Kjo zakonisht bëhet për të siguruar vazhdimësinë e projekteve që janë në zhvillim, për të paguar obligimet nga kontratat ekzistuese apo për të financuar projekte që nuk kanë arritur të realizohen brenda vitit fiskal për arsye të ndryshme. /Demokracia.com/
Projektet ku do të përqendrohen investimet kapitale të Komunës së Prishtinës: