Lajme
Kryeministri “lëkundës”, dikur i lëvdoi, tash Kurti “sakaton” bizneset
Demokracia
21:00 | 29 Maj 2025

Share:

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më herët kishte shprehur gatishmëri të lartë që t’u gjindej pranë bizneseve gjithandej Kosovës, siç pati deklaruar, aq sa mundet.

Kurti ishte deklaruar kështu kur e pati vizituar prodhuesin e pijeve “Relax” dhe “Golden Eagle”, në Suharekë.

Mbështetje për bizneset Kruti pati premtuar edhe gjatë vizitës te kompania e vajit “Floil” në Gjilan, më 10 mars 2022. Madje, u mundua ta arsyetojë, ani se çuditshëm, rritjen e çmimit të këtij produkti, që asokohe fluturonte, ndërsa kryeministri thoshte se kjo po bëhej jorastësishti.

Mysafiri u pati zotuar këtu se qeveria e tij do të gjejnë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar në shtete mike për prodhuesit vendor në mënyrë që të mos ketë mungesa.

Kësi mbështetje Kurti nuk u ofroi këtë të enjten bizneseve, të cila po ankohen se do t’u shtrenjtohet rryma për më shumë se 200 për qind, nëse hyn në fuqi vendimi për liberalizim të tregut energjetik.

Madje as atij Shaqir Palushit të “Frutex” që ditë më parë tha se me zhvillimin e ri, këtë vit do t’i duhet të paguajë 1 milionë e 370 mijë euro rrymë për sasinë e njëjtë të rrymës që më 2024 kishte paguar 421 mijë euro

Gjatë një mbledhje të qeverisë, të enjten, kryeministri në detyrë tha se bizneset po  kërkojnë shtyrjen e vendimit me justifikimin se për një vit do të përgatiten, duke injoruar faktin që nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për 8 vitet e shkuara.

Vendim  i ZRrE-së për futje në treg të lirë te energjisë përfshinë kompanitë me mbi 50 të punësuar dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë.

Të ngjashme