Këtë të diel, në 25 shtator, Albin Kurti do të zgjidhet Kryetar i Vetëvendosjes edhe për një mandat 4-vjeçar. Ai nuk ka asnjë kundërkandidat, pasi të mundshmit janë përjashtuar nga kjo parti, para disa vjetësh dhe sot janë në PSD.
Por, jo vetëm kaq. Kurti ishte kujdesur që edhe “me letra” t’ia rregullonte punën vetes, shkruan Demokracia.com.
Për aq kohë sa Vetëvendosje ishte larg fitores në zgjedhje, partia e Albin Kurtit e mbante me shumë krenari një nen në statutin e partisë. Sipas nenit 73.3 të statutit të LVV-së, nëse Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një debat zgjedhor, në njërën nga televizionet në Kosovë, Kurti kishte deklaruar se do ta respektonte statutin e subjektit të tij politik, që në rast se merr funksion zyrtar duhet lëshuar postin e tij.
“Do ta respektoj statutin e Lëvizjes Vetëvendosje”, kishte thënë Kurti, në formë pohimi se do të jepte dorëheqje.
Kurti ishte rikthyer në krye të partisë në fillim të vitit 2018, pasi këtë post e kishte mbajtur Visar Ymeri që nga viti 2015.
Ky nen prezantohej me krenari nga Kurti dhe bashkëpartiakët e tij. Sipas tyre, ky nen ishte shenjë se drejtuesit e Vetëvendosjes nuk janë njerëz që bëjnë gjithçka për poste, siç rëndom ndodh në partitë tjera në Kosovë. Por, ky ishte vetëm një ligjërim mashtrues nga Albin Kurti dhe bashkëpartiakët e tij të ngushtë.
Sapo Kurti mori sinjalet e para se Vetëvendosje mund t’i fitojë zgjedhjet, ai filloi menjëherë punën për të ndryshuar këtë nen. Kjo ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2019, kur Kurti doli si kandidati më i votuar. Sipas statutit të ri, nuk kishte ndonjë problem që kryetari i Vetëvendosjes të ishte edhe shef partie, por edhe në krye të qeverisë.
Kështu, Kurti i dha fund një gënjeshtre disavjeçare, që ia kishte shitur lirë aktivistëve të tij dhe qytetarëve tjerë të Kosovës. /Demokracia.com/