Lajme
Kryediplomatja kosovare thotë se Serbia së pari t’i pranojë krimet, pastaj të fillojë dialogu me ta
Demokracia
18:27 | 13 Prill 2021

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tha se Serbia duhet t’i pranojë faktet për të kaluarën e saj kriminale kundër popullatës së Kosovës, dhe më pas të diskutohet rreth dialogut.

Gërvalla mes tjerash, po ashtu tha se Qeveria është duke tentuar në luftimin e pandemisë dhe duhet falënderuar edhe miqtë e shtetit për ndihmën, raporton Demokracia.com.

“Nuk mund të thuhet thjeshtë tejkalojeni, sepse po flasim për vlerat më bazike të njerëzimit dhe vendin tonë që asnjëherë nuk do të vihet në komandën e atyre që kanë kryer ato krime dhe as që nuk duhet të përmendet, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet dhe të bëhet komb i civilizuar e evropian. Serbia e ka kaluar një periudhë të errët, një mendësi mesjetare e kthyer nga e kaluara dhe ajo që e ka çuar Serbinë në racizëm e fashizëm në fund të viteve të 90-ta.

Ne jemi krejtësisht të bindur që kur Serbia t’i pranojë këto fakte, nëse e adreson të kaluarën e vet të rrezikshme të destabilizimit dhe kur të ndalet nga ndërhyrja në vendet fqinjë atëherë do të ketë potencial të stabilizojë sjelljen e vet dhe të bëhet vend normal dhe që fqinjët mos ta konsiderojnë bombë me sahat. Kur të arriten të gjitha këto, Serbia do të bëhet mbase vend i ndërlikuar por jo i rrezikshëm dhe atëherë do të mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Por jemi vend i vogël, por i posaçëm, jemi të vegjël, por qëndrojmë drejtë, kemi miq të besueshëm dhe ne jemi të besueshëm për ata”, tha Gërvalla.

Gërvalla tha se kjo qeveri “ka njerëz me kurajo që nuk frikësohen në përballje me Serbinë”, duke përmendur edhe gjykimin dhe keqtrajtimin e kryeministrit, Albin Kurti nga burgjet serbe.

“Kjo qeveri e re e Kosovës do të gjeni njerëz me kurajo, mendje të hapur, përvojë ndërkombëtare që nuk frikësohen të adresojnë çështjet më të rëndësishme. Jemi në favor të pajtimit edhe pse kemi shumë njerëz me përballje të frikshme me Serbinë. Për shembull, kryeministri ynë ka qenë i gjykuar si student në një montim politik nga regjimi autoritar serb dhe më vonë është keqtrajtuar në burgjet serbe”, tha Gërvalla.

Ndryshe, sot ka filluar mbledhja e Këshillit të Sugurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila po mbahet në Nju Jork.

Mbledhja ishte ndërprerë paraprakisht pasi përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj ose të ndryshojë ambientin./Demokracia/

 

Të ngjashme