Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka paralajmëruar investime në fushën e energjetikës.
Në një konferencë për media me homologen e tij, Donika Gërvalla – Schwarz, Çavusoglu tha se nga këto investime, në një të ardhme të afërt, vendi do të jetë në gjendje të eksportojë rrymë, raporton Demokracia.com.
“Në fushën e energjetikës, kompanitë tona janë të gatshme të investojnë dhe nuk duan garanci të blerjes. Financimin do ta bëjmë vetë dhe për një vit do ta kryejmë. Besoj që në investime të tilla kanë interesim firma të fuqishme në mënyrë që të prodhojnë elektricitet dhe Kosova të eksportojë rrymë në një të ardhme të afërt”, tha ai.
Publikisht një investim i tillë u përmend sot, por Demokracia.com ka mësuar se projekti i është prezantuar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi kohë më parë.
Burime të Demokracia.com kanë treguar se Çalik dhe Limak para tetë muajve e kanë prezantuar tek zëvendëskryeministri Bislimi projektin për investim, por se ende nuk kanë marrë përgjigje për një çështje të tillë.
Kjo duket të jetë edhe arsyeja pse kryediplomati turk e përmendi këtë investim në takim me Gërvallën.
Çavusoglu që nga e shtuna po qëndron për vizitë në Kosovë, derisa mëngjesin e sotëm u takua me kryediplomaten Gërvalla.
Më pas, ai e ka vizituar në zyrën e saj edhe presidenten Osmani, kurse më vonë do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti./Demokracia.com/