Lajme
Kryediplomati finlandez për anëtarësim në NATO: Të gatshëm për lloj-lloj kërcënimesh nga Rusia
Demokracia
18:09 | 14 Prill 2022

Share:

Një ditë pasi kryeministrja Sanna Marin konfirmoi se një vendim për anëtarësimin në NATO do të merret “brenda javësh”, ministri i Jashtëm i Finlandës thotë se priste një reagim nga Rusia dhe ishte “i përgatitur për lloje të ndryshme kërcënimesh”.

“Finlanda në fakt ka një ushtri mjaft të fortë konvencionale. Ne kemi më shumë se 280.000 rezervistë, kemi një ushtri rekrutimi, sapo kemi investuar në avionët luftarakë F-35, 60 prej tyre po vijnë në Finlandë, e kështu me radhë. Pra, ne jemi kujdesur mjaft mirë për forcat tona të mbrojtjes kombëtare. Por sigurisht ne jetojmë në një botë, siç e shohim nga sulmi i Rusisë kundër Ukrainës, që shfaqen edhe kërcënime të reja sigurie. Nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë me NATO-n, ne mund të adresojmë të gjitha ato kërcënime të ndryshme,” tha ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto për CNN.

Rusia ka bërë prej kohësh deklarata kërcënuese për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke thënë se kjo do të kishte “pasoja serioze ushtarake dhe politike”.

Në fillim të luftës, Putin e bëri të qartë se një nga qëllimet e tij ishte të kthente dislokimet e NATO-s në Evropën Lindore atje ku kishin qenë në vitet 1990. Tani, Finlanda dhe Suedia – vende që nuk janë zyrtarisht të anëtarësuar – po afrohen gjithnjë e më shumë drejt anëtarësimit në NATO.

I pyetur pse Finlanda ka ndryshuar pozicionin e saj në lidhje me neutralitetin ushtarak, Haavisto tha se natyra e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar.

“Së pari, Rusia është e gatshme të ndërmerr rreziqe më të larta në fqinjësinë e saj. Së dyti, është gati të përqendrojë më shumë se 100.000 ushtarë në një qendër të vëmendjes, siç kemi parë në kufirin e Ukrainës. Dhe së treti – ky është më shumë një spekulim i hapur – por përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore apo edhe kimike. E gjithë kjo sigurisht që ndikon edhe në sigurinë finlandeze”, tha ministri i Jashtëm.

Sipas kryeministrit, Finlanda shpreson të përfundojë diskutimet në lidhje me aplikimin e mundshëm të vendit për anëtarësim në NATO “deri në mes të verës”. Haavisto tha për CNN se pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi diskursin publik brenda vendit të tij.

Suedia duhet të përfundojë një analizë të politikës së saj të sigurisë deri në fund të majit. Një zyrtar suedez i tha më parë CNN se vendi mund ta bëjë publik pozicionin e tij më shpejt, në varësi të kohës kur e bën Finlanda fqinje.

“Ne kemi parë një ndryshim të madh në opinionin publik në Finlandë gjatë javëve të fundit. Një shumicë e qartë e popullsisë tani po mbështet anëtarësimin në NATO. Parlamenti finlandez do ta diskutojë këtë çështje në javët në vijim, dhe nëse shumica do ta deklarojë qartë këtë, atëherë procesi do të vazhdojë. Pastaj, varet nga 30 vendet anëtare të NATO-s se sa i shpejtë mund të jetë procesi,” shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha këtë javë se mizoritë që po zbulohen në Ukrainë ndërsa Rusia vazhdon pushtimin e saj kualifikohen si “gjenocid”. Liderë të tjerë kanë refuzuar përdorimin e termit, si presidenti francez Emmanuel Macron. Haavisto tha se Finlanda mbështet Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të hetuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që së pari, para përcaktimit të asaj që ka ndodhur saktësisht, të kemi hetimin e plotë nga vende si Bucha, dhe vende të tjera ku sigurisht që civilët janë sulmuar në një mënyrë që nuk lejohet sipas legjislacionit ndërkombëtar,” tha ai.

Të ngjashme