Lajme
Kroacia e dënoi shoferin e autobusit të aksidentuar me 6 vjet burgim, familjarët e viktimave kundër dënimit
Demokracia
23:38 | 08 Mars 2022

Share:

Në Gjykatën Komunale në Sllavonski Brod të Kroacisë, shoferi 53-vjeç i autobusit nga Kosova që ishte aksidentuar vitin e kaluar, është dënuar me gjashtë vjet burgim. 25 korriku i vitit të kaluar ishte shumë i rëndë për Kosovën. Në aksidentin që rezultoi fatal për 10 udhëtarë të linjës Frankfurt-Prishtinë tashmë institucionet e drejtësisë në Kroaci kanë dhënë vendimin. Shoferi i autobusin tashmë e ka pranuar fajësinë dhe i njëjti nga drejtësia kroate është dënuar me 6 vite burgim. Mediat kroate thonë se ai nuk do ta apelojë këtë vendim.
Sabri Rrustemi gjatë këtij aksidenti ka humbur vëllain, por ai nuk është i pajtimit që të dënohet shoferi i autobusit. “Unë jam absolutisht kundër dënimit të shoferit. Ma merr mendja që asnjë njeri në botë nuk do kishte dashur të ndodh ajo që ka ndodhur. Ai nuk e ka bërë atë vepër me qëllim”, shprehet Rrustemi. Sipas tij as gruaja e fëmijët e të ndjerit që ishin në autobusin e aksidentuar nuk e konsiderojnë fajtorë shoferin për rastin tragjik. Në aksidentin e rëndë të ndodhur në Kroaci, pos 10 viktimave edhe rreth 45 të tjerë kishin mbetur të lënduar.

Të ngjashme