Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media në Drenas është pyetur edhe rreth propozimit të kryeministrit Albin Kurti, që emisari sllovak Miroslav Lajcak duhet ta dërgojë në Komision të Venecias draftin e BE për Asociacionin.
Osmani e ka konfirmuar se nuk ka koordinim me kryeministrin Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.
Ajo ka thënë se për një ide të tillë të Kurtit ende s’është e njoftuar formalisht dhe tek pasi të ndodhë një gjë e tillë, Osmani ka thënë se do ta shqyrtojë dhe më pas ta japë qëndrimin e saj.
“Nuk kam parë një ide të tillë formalisht. Kur prezantohet tek presidentja, e shqyrtoj dhe pastaj iu njoftoj. Idetë që prezantohen në media, s’mund t’i shoh si formalisht të prezantuara. Sipas Kushtetutës, përcaktimi i politikës së jashtme bëhet nga presidentja. Kurdo që prezantohet një ide e tillë, e shqyrtoj”, ka thënë Osmani.
Ajo tutje ka shtuar se është me rëndësi që çdo ide të analizohet në kontekst të interesit të Kosovës dhe nëse vlerësohet që e ndihmon Kosovën, s’ka arsye që të mos përkrahet.