OpEd
Kriza ukrainase, një zgjidhje sipas modelit palestinez?
Demokracia
21:57 | 31 Mars 2022

Share:

Nga Lucio Leante “Opinione.it”

Ndoshta ne të gjithë po e marrim si shumë të mirëqenë skenarin, sipas së cilit lufta Rusi-Ukrainë do të përfundojë një ditë përmes negociatave, dhe ndoshta përmes një traktati për paqe, që do të sanksiononte balancën e fuqive të vendosur në fushën e betejës midis një pale fituese dhe një pale humbëse.

Madje ka nga ata që bëjnë tifo për njërën apo tjetrën palë. Por ky skenar nuk është e thënë që të ndodhë domosdoshmërisht. Kjo luftë nuk mund të ketë as një fitues të qartë, dhe as një fund real. Përkundrazi, kjo luftë mund të sjellë një pushtim de facto rus të gjatë të një pjese të territorit ukrainas, e cila do të mbetej e tillë pa nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje.

Kështu, konflikti ruso-ukrainas do të bëhej endemik për një fazë të gjatë, dhe mund të kishte faza të alternuara me një intensitet të ndryshëm, siç ndodh me konfliktin izraelito-palestinez.

Ka pasur tashmë disa raste të luftërave, të cilat nuk janë përfunduar asnjëherë përfundimisht me një traktat paqeje, dhe në të cilat marrëveshjet e reja politike dhe territoriale kanë mbetur faktike dhe nuk kanë fituar kurrë status ligjor të një traktati paqeje.

I tillë ishte rasti i “Luftës Gjashtëditore” të vitit 1967 midis Izraelit nga njëra anë dhe vendeve arabe përreth tij (Egjiptit, Sirisë dhe Jordanisë). Ajo luftë nuk përfundoi me traktatet e paqes, dhe që nga ajo kohë Izraeli ka vazhduar pushtimin de fakto të Bregut Perëndimor dhe Lartësive Golan, i justifikuar në fakt edhe për arsye sigurie.

Izraeli nënshkroi një traktat paqeje vetëm me Egjiptin pas Luftës së Yom Kipur të vitit 1973, në këmbim të kthimit të gadishullit të Sinait. Që nga viti 1967, një traktat paqeje nuk është firmosur kurrë midis Izraelit nga njëra anë dhe Sirisë dhe Jordanisë nga ana tjetër.

Midis tyre mbetet një gjendje konflikti me intensitet të ndryshëm, duke qenë se Siria dhe Jordania nuk e kanë pranuar asnjëherë humbjen e atyre territoreve të cilat nga ana tjetër, nuk janë aneksuar kurrë zyrtarisht nga Izraeli. Një situatë e ngjashme mund të lindë edhe në rastin e luftës ruso-ukrainase.

Ndërsa Lufta Gjashtëditore e 1967-ës, nuk pati një fitore të qartë ushtarake të Izraelit në fushën e betejës, edhe lufta ruso-ukrainase nuk duket e destinuar të regjistrojë një fitues të qartë dhe as një humbës të qartë në fushën e betejës. Është një nga ato luftëra që asnjë pretendent nuk mund ta fitojë apo ta humbasë hapur dhe qartë.

Rusia nuk mund të fitojë qartë, pasi forcat që ajo ka vendosur në terren janë shumë larg numrit të nevojshëm për një pushtim të plotë. Ato do të duhej të ishin të paktën 3-6 herë më të shumta në numër, sidomos kur kemi parasysh rezistencën energjike dhe mobilizimin  vërtet heroik të popullsisë ukrainase.

Nga ana tjetër, Rusia e Presidentit Vladimir Putin nuk mund ta humbasë qartazi këtë luftë, sepse e konsideron atë “jetike”. Dhe mbi të gjitha pasi ajo ëshë një superfuqi ushtarake (dhe bërthamore), dhe mund ta rrisë shumë praktikisht dhe pafundësisht nivelin dhe intensitetin e luftës, nën mbulesën e armëve të saj bërthamore.

Moska nuk do të jetë në gjendje ta braktisë kurrë lojën duke tërhequr trupat e saj nga Ukraina, siç shpreson presidenti amerikan Xho Bajden, i cili që nga dita e inaugurimit të tij në detyrë vazhdon të përdorë etiketime të forta (vrasës, kriminel lufte, kasap) mbi president rus, duke synuar humbjen e tij ushtarake.

Rusia nuk mund ta humbasë haptazi këtë luftë. Dhe Moska mund të kërcënojë të përdorë armët bërthamore taktike, në rast se situata në fushën e betejës do të bëhet aq e pafavorshme sa të rrezikojë statusin e saj si një fuqi e madhe, të Rusisë së Madhe, dhe vetë mbijetesën e federatës ruse.

Bajden dhe kushdo që shpreson për një disfatë ushtarake të Rusinë, duket se nuk është aq sa duhet i ndërgjegjshëm për këtë skenar djallëzor. Por as Ukraina e presidentit Volodimir Zelenski nuk mund ta humbasë hapur këtë luftë. Jo vetëm për shkak të mobilizimit nën armë të gjithë popullatës ukrainase.

Por edhe sepse asnjë shtet nuk mund t`i pranonte kurrë në mënyrë të hapur kushtet e ashpra të vendosura nga Moska, siç është njohja e rrëmbimit të një hapësire të madhe të territorit të saj lindor, Donbas, Krimesë (po ashtu edhe rripin e tokës që i lidh këto 2 rajone).

Në thelb, balanca e forcave, përfshirë ato ndërkombëtare, të cilat janë shfaqur deri më tani në terren, tregojnë se asnjëra nga të dyja palët nuk është mjaftueshëm e fortë për ta fituar luftën aq qartë, sa të marrë nga tjetri një pranim të qartë ose të nënkuptuar të humbjes.

Prandaj ky është një konflikt të cilin nuk mund ta fitojë asnjë nga dy pretendentët, por nga ana tjetër asnjëri nuk mund ta humbasë hapur. Është një ngërç klasik ushtarak, politik dhe diplomatik që përjashton mundësinë jo vetëm të një fituesi dhe një humbësi, por edhe mundësinë e një traktati përfundimtar të paqes.

Për rrjedhojë, rezultati më i mundshëm i konfliktit është që në një moment, nëse forcat ushtarake ruse do të kenë arritur një minimum të kënaqshëm të pushtimeve territoriale, situata ushtarake në terren do të stabilizohet.

Kjo ka të ngjarë të ndodhë nëse ushtria ruse do të arrijë qëllimin e vërtetë politik dhe strategjik të Moskës, të zbuluar 3 ditë më parë nga zëvendësshefi i Shtabit, gjenerali Sergei Rudskoi. Ai foli për “çlirimin” e Donbasit si fokusin kryesor të Moskës në “fazën e dytë të operacionit”.

Në thelb, Rusia synon të aneksojë përgjithmonë Mariupolin, dhe të garantojë një vazhdimësi territoriale tokësore midis Donbasit dhe Krimesë. Nëse do të ndodhë e gjithë kjo, atëherë Moska do të jetë në gjendje të ofrojë një armëpushim, në këmbim të një tërheqjeje të forcave ruse nga Ukraina Perëndimore, të cilat do të përqendroheshin në mbrojtjen e Donbasit.

Por do të ishte vetëm një armëpushim, sepse që atëherë dhe për një periudhë të gjatë, Ukraina Lindore do të ishte de fakto nën pushtimin rus. Dhe një pushtim i tillë do të ishte i papranueshëm nga Kievi, dhe për këtë arsye i pamundur të sanksionohej me një traktat paqeje.

As Perëndimi dhe një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk do të mund ta njohin kurrë atë pushtim. Prandaj, konflikti ruso-ukrainas do të mbetej i hapur dhe do të bëhej endemik me faza të ndryshme të alternuara të acarimit dhe zbutjes.

Kështu, çështja ruso-ukrainase do të shndërrohej në një tjetër konflikt jo vetëm lokal, por edhe ndërkombëtar afatgjatë, i cili mund të kishte faza të alternuara me intensitet të ulët, të mesëm dhe të lartë.

Ashtu si konflikti izraelito-palestinez, që duket se nuk mund të gjejë kurrë një zgjidhje përfundimtare paqësore. Ka konflikte që nuk kanë një zgjidhje të qëndrueshme diplomatike, dhe që duket se e kanë luftën si zgjidhjen e vetme, por provizore, iluzore dhe fatkeqe.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024