Qeveria e Albin Kurtit deri tash ka refuzuar gazin amerikan, projektin për të cilin ishin ndarë 200 milionë dollarë. Ai projekt tashmë ka nisur në Greqi. Por, Presidentja Vjosa Osmani të martën ka mbajtur një qëndrim krejt tjetër. Në kuadër të Takimit të liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, i cili po mbahet në Washington D.C., Presidentja Osmani ishte folëse kryesore në tryezën me temë: Bashkëpunimi Transatlantik për Sigurinë Energjetike.
“Aleanca me Amerikën nuk bëhet me do gypa’, kështu e kishte refuzuar Albin Kurti projektin e gazit Amerikan që do ta përfshinte edhe Kosovën. Ishin destinuar 200 milionë dollarë.
Ky projekt tashmë ka nisur. Simbolikisht nisi ditë më parë në Greqi, shkruan Insajderi.
Aty përveç shumë figurave të njohura të politikës rajonale dhe evropiane, ka marrë pjesë edhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë.
Për projektin e terminalit që do të përfundojë në fund të vitit 2023, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se ky është një hap esencial për pavarësim nga gazi rus.
Edhe Vuçiq e ka lavdëruar fillimin e projektit duke thënë se ‘është tepër i rëndësishëm’.
Qëndrimi kudër i Kurtit nuk po e ndal presidenten Vjosa Osmani që të jetë pro. Duket se ka nisur një ndarje e qëndrimeve për këtë temë.
Në kuadër të Takimit të liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, i cili po mbahet në Washington D.C., Presidentja Osmani ishte folëse kryesore në tryezën me temë: Bashkëpunimi Transatlantik për Sigurinë Energjetike.

Lufta në Ukrainë e ka ekspozuar rrezikun e varshmërisë së madhe të Evropës nga Rusia për sa i përket sigurimit të furnizimit me energji. Distancimi nga gazi, qymyri e nafta ruse është bërë pjesë e pakos së sanksioneve të shumë vendeve evropiane ndaj Rusisë.
Përballë këtyre zhvillimeve, Presidentja Osmani theksoi se sfidë madhore mbetet gjetja e ekuilibrit të duhur midis përgjigjeve afatshkurtra ndaj krizës aktuale energjetike pa kompromentuar qëllimet dhe ambiciet e tranzicionit të energjisë dhe veprimit klimatik, përderisa sigurohemi që tranzicioni të jetë i drejtë dhe i barabartë.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në ballafaqim me krizën energjetike, Presidentja Osmani tha: “Përderisa sistemet dhe dizajnimi i politikave energjetike mund të jenë të ndryshme në të dy anët e Atlantikut, qëllimet tona janë të përbashkëta: sigurimi i furnizimit të rregullt me çmime të arsyeshme dhe të përballueshme nëpërmjet promovimit të politikave të qëndrueshme, mbështetjes së inovacionit dhe arritjes së objektivave në luftimin e ndryshimeve klimatike”.

Teksa foli për mundësinë e ballafaqimit me mungesë të furnizimit të rregullt, sfida ekonomike, tronditje të tregjeve energjetike, dhe rritje të çmimeve të energjisë, Presidentja Osmani theksoi se përballë tiranisë, asnjë çmim nuk është shumë i lartë për t’u paguar për të mbrojtur demokracitë dhe për të mbrojtur lirinë.