Lajme
Kritikohet subevncionimi i polisës kufitare për diasporën: “Nga taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës”
Demokracia
09:12 | 01 Korrik 2024

Share:

Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, ky vendim nuk është se i ka pëlqyer të gjithëve. Ish-zëvendësi i Kurti, Haki Abazi e analisti, Uk Lushi, kanë qenë mjaft kritik për këtë vendim. Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Qeveria Kurti, liron nga kjo pagesë diasporën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në njoftimin e tij për lirimin nga kjo pagëse, ka thënë se Kosova e pret diasporën “me krah hapur dhe zemrën plot”.

“Si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Mirëpo, ky vendim nuk është se u prit mirë nga të gjithë. Disa e kritikuan Qeverinë Kurti që po paguan me taksa të qytetarëve të varfër të Kosovës.

Analisti që jeton në Amerikë, Uk Lushi, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke përmendur që qeveria do të duhet të detyronte kompanitë e sigurimeve për njohje të polisave kufitare.

“Albin Kurti merr nga taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës dhe ua paguan polisën e sigurimit mërgimtarëve që e kanë paguar atë në kompanitë e sigurimeve në vendet ku punojnë dhe paguajnë taksa. Ku në botë ka kësi çmendurie?!”

“Ai në vend se të marrë para nga Kosova, për katër vjet në pushtet, është dashur të arrinte marrëveshje shtetërore apo të detyronte kompanitë e sigurimit në Europë të garantojnë pagesat për polisat që mërgimtarët i paguajnë me paratë e veta.” – ka shkruar Lushi në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se Kurti merr nga të varfërit dhe u jep kompanive me miliarda fitime.

“Albin Kurti po merr para nga buxheti i varfër i Kosovës, miliona euro, për të paguar për obligimet e kompanive të pasura të sigurimeve. Albin Kurti është Anti-RobinHood. Albin Kurti merr nga të varfërit dhe u jep të pasurve dhe kompanive me miliarda fitime. Ku jeni vetëvendosës që nuk u ndihet zëri?! E sosët Kosovën duke pasuruar miliarderët e Europés.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Në anë tjetër, edhe deputeti i pavarur që dikush ishtë zëvendkryeministër i Kurtit, Haki Abazi, ka qenë kritik ndaj këtij vendimi.

Ai e ka parë lirimin nga pagesa për policën kufitare si një manipulim.

“Polisa e Sigurimit për mërgimtarët nuk është falas, ajo paguhet nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i Kosovës që është marrë peng nga makineria komuniste dhe po e manipulon për sadaka dhe popullizëm. Është bërë qeveria sikur SuperGjyshja që i nxerrë paratë nga gjiri për më ju dhënë nipave e mbesave nga një peshqesh të vogël për me ndejt rehat edhe me dashtë gjyshën!” – ka shkruar ai.

Tutje, Abazi ka thënë se në Kosovë as policët e as ushtarët nuk kanë sigurim shëndetësor.

“Mos të harrojmë që edhe mëtutje në Kosovë makinat kanë sigurim por njerëzit nuk kanë sigurim shëndetsorë! Për policët e ushtarët as që bëhet fjalë!” – ka shkruar Abazi në Facebook.

Në anë tjetër ministri i Financave, Hekuran Murati ka shpejguar se kur vlen subvencioni.

“Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.”

“Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.” – ka shkruar ai në Facebook./ Nacionale

Të ngjashme