Lajme
Kritikohet Kosova dhe Shqipëria për mos përafrim të partive politike në Luginën e Preshevës
Demokracia
12:57 | 06 Prill 2022

Share:

Dështimi i partive politike në Luginë të Preshevës në zgjedhjet në Serbi po i atribuohet edhe Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Gara në dy lista zgjedhore dhe përçarja e partive politike atje përveç egove personale, po konsiderohet edhe paaftësi e dy qeverive për të unifikuar partitë në Luginë.

Votat e marra nga Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi, nuk garantojnë se shqiptarët do të kenë një mandat.

Dështimi i partive politike në Luginë të Preshevës në zgjedhjet në Serbi po i atribuohet edhe Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Gara në dy lista zgjedhore dhe përçarja e partive politike atje përveç egove personale, po konsiderohet edhe paaftësi e dy qeverive për të unifikuar partitë në Luginë. Votat e marra nga Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi, nuk garantojnë se shqiptarët do të kenë një mandat.

Njohësi i rrethanave politike në Luginë të Preshevës, Valon Arifi, thotë për KosovaPress se është fatkeqësi për Luginën e Preshevës përfaqësimi vetëm me një deputet në Kuvendin e Serbisë.

“Faji është fillimisht i politikanëve tanë të cilët mbase për ego personale dhe për çështje personale nuk kanë arritur të bëjnë një marrëveshje të përbashkët siç e bënë para dy vitesh. Kjo për mendimin timin është edhe pakujdesi ose moskujdes i veçantë nga Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi nuk e kanë bërë punën e tyre me shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thotë ai.

Arifi thotë se pasivizimi i adresave të qytetarëve të Luginës dhe marrja e të drejtës së votës është një strategji e kahershme e Serbisë.

“Ky është një fakt i cili nuk i shpërngul shqiptarët, por thjesht i largon nga regjistri civil i Serbisë dhe zvogëlon numrin e qytetarëve në Serbi dhe në fund të ditës, disa të drejta që na takojnë në bazë të numrit të qytetarëve që jemi në Serbi zvogëlohen… Kjo është një strategji e veçantë e cila nuk fillon sot dhe nuk ka filluar me regjimin e Vuçiqit, kjo ka filluar qysh herët me shqiptarët në Serbi”, shton ai.

Megjithëse partitë politike shqiptare morën pjesë në zgjedhjet serbe, Arifi thotë se zgjedhjet si proces nuk kanë qenë demokratike dhe të lira.

“Zgjedhjet nuk kanë shkuar në rrjedha demokratike dhe të lira. Shpresojmë dhe besojmë se faktori ndërkombëtar do të reagojë ndaj një regjimi autoritar, i cili edhe këto zgjedhje nuk i la me u zgjedh në mënyrë demokratike”, deklaron ai.

Sipas rezultateve të para preliminare, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e kanë të sigurt ulësen në Kuvendin e Serbisë, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur me listë të përbashkët pas unifikimit në atë që njihet si Marrëveshja e Tiranës arritën të çojnë dy përfaqësues.

Sipas rezultateve të fundit, koalicioni i kryesuar nga Kamberi ka marrë mbi 9600 vota, ndërsa lista tjetër e Arifit 3, 273 vota.

Të ngjashme