Lajme
Kritikohet “konsensusi i rrallë” i partive politike në Kosovë, duan që t’u lejohet kandidimi në zgjedhje të dënuarve me kusht dhe gjobë për vepra penale
Demokracia
19:40 | 27 Maj 2023

Share:

Sipas projektligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është miratuar në parim nga Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore, subjektet politike në Kosovë janë pajtuar që ta ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale.

Por, ky konsensus i partive politike për këtë projektligj po kritikohet nga organizatat joqeveritare dhe juristët, meqë sipas tyre, sistemi i drejtësisë shquhet për politikë të ulët ndëshkimore – ku vetëm gjatë dy viteve të fundit 2/3 e veprave penale për korrupsion kanë përfunduar me dënim me kusht.

Allen Meta nga organizata joqeveritare D4D insiston që projektligji në fjalë nuk duhet të votohet në Kuvend assesi nga deputetët.

“I hapet rrugë më lehtë kandidimit të personave të cilët kanë probleme me ligjin. Kjo duhet të ndryshohet sa më parë dhe të mos lejohet kandidimi i personave me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit për veprat e rënda penale që përcaktohen sipas nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, tha Meta për Albanian Post.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, thotë se lejimi i atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale për të marrë pjesë në zgjedhje, “ishte dashur të shmanget”.

“Edhe dënimi me gjobë është sanksion alternativ, por ka fajësi. Partitë politike kur kanë interesat e tyre të njëjta, pozitë opozitë nuk ekzistojnë, sepse i ruajnë pozitat tyre strategjike. Kjo tregon që janë parti klienteliste që i mbrojnë interesat e tyre”, theksoi ai për AP.

Madje për të, “është një veprim i pengimit të demokracisë” dhe mos “frymarrjes së lirë” dhe mos respektimit të ligjit, pasi edhe këto dy forma janë sanksione penale.

Lejimin e kandidimit të atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale, juristi Anton Nrecaj, po e cilëson si “vrasje të demokracisë dhe të parimit për lista të pastra zgjedhore”.

“Fakti se partitë politike janë dakorduar për këtë ndryshim po ashtu tregon se asnjë prej partive politike nuk është e gatshme që ta luftuar korrupsionin dhe të fuqizojë edhe me tej demokracinë e sistemit zgjedhor që është ndërtuar. Aq më tepër një ndryshim i tillë eshë i papranueshëm dhe e dëmton shumë imazhin e Kosovës, dhe nuk dua të besoj se një propozim i tillë do të kalojë në kuvend”, shpjegoi ai për AP.

Ai vuri në pah se edhe përkundër zotimeve të partisë aktuale tani pushtet se do ta vendosin standard të ri të qeverisjes së pastër, ka rezultuar të jetë e kundërta, tani dakordimi për ndryshimin e ligjit është papjekuri politike dhe pa maturi e cila si efekt do ta ketë dëmtimin e sistemit zgjedhor.

“Dhe mesazhi që do t’i dërgohej botës demokratike me këto ndryshime do të ishte Kosova është nuk është akoma gati për vlerat demokratike”.

Ndryshe, muajin e kaluar, Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore përmbylli punën e tij njëvjeçare, që rezultoi me një draft të ri të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është miratuar në parim. Ky projektligj reflekton një konsensus të plotë mes subjekteve politike parlamentare, të cilat kanë treguar dakordësi edhe për shqyrtimin e përshpejtuar të tij.

Të ngjashme